Bill Clinton arrin në Shqipëri, do të nderohet me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike”

Tiranë, 3 korrik 2023 – Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, arriti sot pasdite në Shqipëri, në një vizitë dyditëshe. Në Aeroportin “Nëna Terezë” në Tiranë ai u prit nga nikoqiri i tij, Kryeministri Edi Rama.

Në orën 19:00, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, ish-presidentit amerikan, në një ceremoni publike, ish-presidentit Clinton do t’i dorëzohet “Ylli i Mirënjohjes për Arritjet Publike” që ndahet nga Kryeministri Rama. Gjatë kësaj ceremonie, Clinton pritet t’u drejtohet qytetarëve.

Kjo është vizita e parë e ish-presidentit Clinton në Tiranë. 11 vjet më parë Shqipërinë e vizitoi bashkëshortja e tij, Hillary Clinton, atëherë Sekretare e Shtetit amerikan.

Bill Clinton ishte president i SHBA-së në kohën e luftës në Kosovë. Ai luajti rol kyç në marrjen e vendimit të NATO-s për sulme nga ajri ndaj pbjektivave ushtarake e policore të Serbisë, të cilat çuan në çlirimin e Kosovës.

Clinton kishte shpjeguar se ndëhyrja ushtarake e NATO-s ishte e domosdoshme për mbrojtjen e qytetarëve të Kosovës nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, i cili synonte pastrimin etnik të Kosovës.

Bill Clinton e ka vizituar Kosovën tri herë. Hërën e parë ai e ka vizituar Kosovën në maj të vitit 1999. Herën e dytë ai ishte në Kosovë në vitin 2009, kurse herën e tretë ishte në Kosovë në vitin 2019, bashkë me ish-sekretaren e ndjerë të Shtetit, Madeleine Albright. Ata morën pjesë në ceremonitë e mbajtura për 20-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, e cila është shpallur Ditë e Çlirimit të Kosovë.

Bill Clinton është njëri ndër figurat më të dashura në Kosovë. Ai është dekoruar me “Urdhrin e Lirisë” e cila ndahet nga Presidenti i Republikës, dhe është shpallur Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Prishtinës.

Shumë rrugë e sheshe në Kosovë janë pagëzuar me emrin e tij, kurse në Prishtinë i është ngritur një shtatore, në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen e popullit të Kosovës gjatë luftës dhe të vullnetit politik të tij për liri, pavarësi e demokraci.

Disa djem të lindur pas përfundimit të luftës janë pagëzuar me emrin e tij, ndërsa disa vajza janë pagëzuar me emrin e ish-sekretares së ndjerë, Madelaine, dhe të ish-sekretares Hilary, të cilat hyjnë në mesin e autoriteteve që kosovarët i kanë përzemër.

(r.m.)