New York, 12 qershor 2024 – Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, kujtoi 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës.
“Sot falënderoj për 25 vjet të paqes në Kosovë”, shkroi ai në në platformën X.
“Njëzet e pesë vjet më parë, Shtetet e Bashkuara i udhëhoqën me sukses aleatët e NATO-s në fushatën ajrore që i dëboi forcat serbe, duke i dhënë fund represionit dhjetëvjeçar dhe fushatës brutale të spastrimit etnik, duke i dhënë fund luftës në Kosovë. Aksioni ushtarak ndihmoi në rivendosjen e vetëqeverisjes në krahinë dhe çoi në pavarësinë e Kosovës në 2008”, shkroi Qendra Clinton në një dedikim për 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës.
Dedikimi shoqërohet me një video-regjistrim të Fondacionit Clinton (Clinton Foundation) ku janë përmbledhur fragmente të fjalimit të Presidentit Clinton pas përfundimit të fushatës ajrore të NATO-s, më 10 qershor 1999.
“Rezultati do të jetë siguria dhe dinjiteti për popullin e Kosovës, të arritura nga aleanca që qëndroi së bashku me vendosmëri për të arritur qëllimin”, theksonte Clinton, ndër të tjera.
Fjalimi ilustrohet edhe me fotografi dhe video-regjistrime të takimeve të Presidentit Clinton me refugjatë shqiptarë të dëbuar nga Kosova gjatë fushatës serbe për spastrimin etnik të Kosovës, si edhe pamje nga vizita e tij e parë në Kosovë, përfshirë takimet me qytetarët mirënjohës dhe me ushtarë amerikanë që shërbenin në Kosovë, në kuadër të misionit paqeruajtëse të NATO-s, KFOR.
Presidenti Clinton e theksonte gatishmërinë e ushtarëve amerikanë për ruajtjen e paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Kosovës.
(r.m.)