Binjakëzohen Gjirokastra dhe Bujanoci, i hapet rrugë bashkëpunimit në fusha të ndryshme

Gjirokastër, 17 maj 2024 – Qyteti i Gjirokastrës është binjakëzuar me komunën e Bujanocit me qëllim forcimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, si: arsim, kulturë, turizëm, etj.

Kryetarët e dy qyteteve, Flamur Golemi dhe Nagip Arifi, e nënshkruan marrëveshjen, duke i çelur rrugë zbatimit të projekteve të përbashkëta, me interes për të dy qytetet.

Aktualisht fillesat e këtij bashkëpunimi kanë nisur me mbështetjen e 4 studentëve nga Lugina e Preshevës të cilët studiojnë në universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës.

“Kemi filluar edhe hapat e parë për një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës, artistike,  aktiviteteve dhe ekonomike dhe kemi filluar duke mbështetur 4 studentët e parë, të cilët aktualisht janë këtu në Gjirokastër, po vazhdojnë studimet në Gjirokastër dhe sot  konkluduam dhe përmbyllëm në fakt  procesin protokollar dhe burokratik  të binjakëzimit të bashkisë Gjirokastër  dhe komunës Bujanovc, pavarësisht se janë fizikisht larg  më shumë se 500 km  po kjo nuk i ndan dy komunitetet tona, nuk i ndan  qytetarët shqiptarë të jenë bashkë“, tha Flamur Golemi, kryetar i Bashkisë Gjirokastër, për Euronews.

“Punën më të madhe që kemi bërë kemi filluar bashkëpunimin  në fushën e kulturës, arsimit  që nga viti I kaluar 4 studentë  nga Bujanoci janë duke studiuar në Gjirokastër në vitin shkollor 2024-2025 do rritet ky numër nga 4 në 10 studentë  dhe të gjitha harxhimet e studentëve bashkia e Gjirokastrës i mbulon”, tha  Nagip Arifi, kryetar i Komunës Bujanoc.

Tashmë Gjirokastra ka një sërë bashkëpunimesh dhe binjakëzimesh me qytete të ndryshme në hapësirën mbarëshqiptare, të cilat po ndikojnë pozitivisht për promovimin e vlerave dhe resurseve të qytetit të gurtë.

(r.m.)