BIRN: Tri dosjet e korrupsionit që çuan në pranga Ilir Metën

Prokuroria e Posaçme e akuzon ish-presidentin Ilir Meta për ndikime korruptive dhe përfitime monetare në çështjen CEZ-DIA, në një marrëveshje intekonjeksioni si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive për ndryshimin e një ligji me porosi në favor të bizesmenit S.M, i cili sipas SPAK nuk është nën akuzë pasi çështja është parashkruar.

 

Ish-presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tri çështje korrupsioni; për dosjen e njohur si CEZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me një biznesmen që SPAK e identifikon me inicialet S.M, në emër të të cilit është marrë përsipër ndryshimi i një ligji në Kuvendin e Shqipërisë.

Meta akuzohet gjithashtu për kontratat e konsulencës dhe lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pastrimin e produkteve në blerjen e një shtëpie në Tiranë si dhe mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore për periudhën 2013-2019.

Sipas njoftimit të shpërndarë nga SPAK, akuza të ngjashme ka edhe deputetja Monika Kryemadhi, njëherazi bashkëshorte dhe bashkëpunëtore për dekada e Metës, të cilët ndodhen tashmë në një proces divorci.

Ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho ndodhet në arrest shtëpie për akuzën e korrupsionit pasiv, ndërsa Ema Çoku- një financuese e LSI ndodhet në masën e detyrimit për paraqitje para oficerëve të policisë gjyqësore për akuzën e pastrimit të parave.

Meta dhe Kryemadhi i mohojnë akuzat dhe e konsiderojnë hetimin kundër tyre si të motivuar politikisht për të sulmuar opozitën në Shqipëri.

Hetimi është regjistruar në vitin 2019 në ish-Prokurorinë për Krime të Rënda bazuar në kallëzimin penal të depozituar nga juristi Romeo Kara lidhur me veprimet korruptive të zyrtarëve të shtetit në zbatimin e kontratës së CEZ-DIA. Në vitin 2022, dy kallëzime të tjera janë depozituar në SPAK nga ish-deputeti Halit Valteri dhe avokati Ideajet Beqiri, kallëzime këto që janë bashkuar në një çështje. Procedimi i bashkuar është emërtuar me numrin.55 të vitit 2019.

Ilir Meta është një nga figurat qëndrore të politikës shqiptare dhe përgjatë tranzicionit ka mbajtur postet më të larta shtetërore si kryeministër (1999-2002), kryetar i Kuvendit (2013-2017) dhe President i Republikës (2017 -2022). Pas largimit nga Presidenca, Meta rimori kontrollin e partisë së themeluar prej tij, Lëvizja Socialiste për Integrim, LSI dhe i ndryshoi emrin në Partia e Lirisë.

Për gjetjen e provave ndaj Metës, SPAK deklaroi se kishte bashkëpunuar me autoritetet e zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Austrisë, Italisë, San Marinos dhe Qipros. Përmes tyre, SPAK pretendon se ka provuar ndikimin e ushtruar nga Meta në cilësinë e ish-Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory”, DIA dhe kompanisë CEZ Shpërndarje, që kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura.

Sipas prokurorisë, këto marrëdhënie ngushtësisht të ndërlidhura, kanë ndikuar drejtpërdrejtë në procesin e përzgjedhjes së DIA-s për të kryer shërbimet e mbledhjes së borxheve të CEZ-it, pavarësisht se nuk përmbushte të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për të menaxhuar detyrime të kësaj natyre.

“Përmes kësaj marrëveshjeje, DIA ka përfituar në mënyrë të parregullt shumën prej  649,803,520 lekësh, vlerë që është konfirmuar nga një vendim gjyqësor i formës së prerë,” thuhet në njoftimin e SPAK.

Sipas SPAK, hetimet e deritanishme kanë zbuluar se i hetuari Ilir Meta kur mbante funksionin e ministrit, ka kërkuar dhe pranuar shuma të konsiderueshme parash nga Kastriot Ismailaj, pronar i kompanisë DIA.

Përfshirja e Metës në marrëveshjen mes CEZ Shpërndarje dhe DIA është investiguar nga BIRN prej vitit 2015 dhe në vazhdim. [Artikujt mund t’i lexoni ketu, këtu dhe këtu].

Për këtë episod, Meta akuzohet se ka konsumuar veprën penale “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.

Ndërkohë, nga hetimet ka rezultuar se Meta, në sajë të funksionit të tij si kryetar i Kuvendit dhe bashkëshortja e tij, Kryemadhi si deputete, në vitin 2014 kanë përdorur influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë  “U… C… INC” dhe një kompanie private telefonike celulare.

“Si rezultat i kësaj influence të paligjshme subjektet në hetim I.M dhe M.K. kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive nga të hetuarit,” thuhet në njoftimin e SPAK.

Për këtë episod akuzohet edhe ish-kreu i AKEP, Pirro Xhixho për veprën penale të korrupsionit pasiv.

Një tjetër episod që ka shërbyer në ngritjen e akuzës ndaj Metës dhe Kryemadhit është ajo që SPAK e cilëson “një marrëdhënie korruptive me biznesmenin S.M”. Sipas SPAK, çifti Meta-Kryemadhi kanë përfituar përkohësisht një vilë si shpërblim për influencën e paligjshme që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI, në interes të aktiviteteve ekonomike të këtij bizmesmeni. SPAK e akuzon Kryemadhin se me porosi të biznesmenit S.M., ka marrë përsipër edhe ndryshimin e një ligji në Kuvendin e Shqipërisë, ligj i cili është ndryshuar.

SPAK refuzoi ta bënte publik emrin e biznesmenit S.M, por burime zyrtare pretenduan se ndaj tij nuk ishte regjistruar procedim penal për shkak se “vepra penale ishte parashkruar”.

Pozita e Metës është rënduar dhe nga kontratat e lobimit të lidhura në cilësinë e kryetarit të LSI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë periudhës 2016-2017, Meta ka lidhur dhe ekzekutuar kontrata për shërbime konsulence dhe lobimi me kompanitë Global Security and Inovative Solution LLC dhe grupin McKeon Inc në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas SPAK, një pjesë e financimit të kontratave është bërë me transferta bankare nga llogaritë e LSI-së, ndërkohë që një shumë prej më shumë se 463 mijë USD, nuk është transferuar nga llogaritë bankare të këtij subjekti politik. Po ashtu, shuma monetare që nuk është transferuar nga llogaritë bankare të LSI-së, nuk është pasqyruar në bilancet e këtij subjekti politik, të depozituara pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. [Lexoni investigimin e BIRN për kontratën e lobimit të Metës në SHBA].

Meta dhe Kryemadhi akuzohen gjithashtu se kanë blerë një apartament dubleks pjesërisht me para të përfituara në mënyrë të paligjshme dhe se kanë përdorur një kredi bankare si mbulesë dhe mënyrë për të futur në sistemin bankar shuma të konsiderueshme monetare, e cila i korrespondon akuzës së pastrimit të parave.

Ata akuzohen gjithashtu për mosdeklarimin e shpenzimeve mjekësore në vlerën e 106 mijë eurove për periudhën 2013-2019, ku rreth 86 mijë euro janë paguar cash sipas SPAK. Bazuar në këto të dhëna, SPAK ngre dyshime se Meta dhe Kryemadhi kanë konsumuar veprën penale “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rrëmë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.

(Reporter.al)