Gjenevë, 10 janar 2022 – Delegacionet e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë përfunduan bisedimet në Gjenevë, që janë pjesë e përpjekjeve diplomatike që do të zhvillohen gjatë kësaj jave.
Bisedimet janë nxitur nga kërkesat e Moskës për marrëveshje rreth sigurisë dhe grumbullimit të trupave ruse afër Ukrainës.
Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit, Wendy Sherman, që ka udhëhequr delegacionin amerikan, tha se bisedimet dypalëshe me zëvendësministrin e Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, ishin “serioze”.
Sherman iu referua takimit me termin “bisedime” dhe jo “negociata” dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk kanë shqyrtuar një nga një kërkesat e Rusisë.
Sipas Sherman, në këtë takim SHBA-ja prezantoi disa propozime, përfshirë edhe për vendosjen e raketave dhe kufizimet për stërvitjet ushtarake.
Propozimet SHBA-së duhet të jenë reciproke dhe hodhi poshtë thirrjet për zvogëlimi i trupave amerikane në Evropën Lindore, duke thënë se kjo çështje “nuk ishte në agjendën” e bisedimeve të mbajtura më 10 janar.
Bisedimet vijnë në kohën e rritjes së tensioneve për shkak të grumbullimit të trupave ruse në afërsi të kufijve të Ukrainës. Perëndimi ka frikë se ky grumbullim është sinjal se Moska po përgatitet që ta pushtojë Ukrainën. Më 2014, Rusia e aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe mbështetë separatistët që luftojnë me forcat qeveritare në lindje të Ukrainës.
Gjatë javës, zyrtarë të Perëndimit dhe ata rusë do të zhvillojnë edhe dy takime tjera në Bruksel dhe Vjenë.
(REL)