Biserko: Kosova dhe Serbia duhet ta pranojnë planin franko-gjerman, Perëndimi nuk ka kohë të presë

Beograd, 14 janar 2023 – Mediet në serbi shtrojnë pyetjen se çfarë masash do të aplikojnë BE-ja dhe SHBA-të ndaj Serbisë, nëse presidenti Aleksandar Vuçiq nuk e pranon ofertën, planin franko-gjerman, për marrëveshje me Kosovën.

A e presin Serbinë sanksionet, ndërprerja e negociatave për anëtarësim në BE, tërheqja e investimeve dhe të ngjashme?

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka thënë se “kjo do ta vë Serbinë në një situatë shumë kritike”. Prandaj bën thirrje për presion politik e qytetar në Serbi ndaj Vuçiqit që të mos e mbajë Serbinë peng të Rusisë..

“Është në dorën e qytetarëve, por edhe të opozitës të ngrenë zërin dhe të bëjnë presion ndaj qeverisë për të vepruar me përgjegjësi. Serbia nuk duhet të lejojë që të jetë peng i Rusisë dhe politikës së saj shkatërruese, të cilën do të paguajë”, ka thënë Biserko për gazetën beogradase “Danas”.

Zonja Biserko ka thënë se faktorët ndërkombëtarë synon ta detyrojë Serbinë që përfundimisht të përcaktohet nëse është me Perëndimin apo  me Rusinë.

“Vizitat gjithnjë e më të shpeshta të zyrtarëve të SHBA-së, NATO-s, BE-së dhe disa shteteve tëanëtare të veçanta tregojnë se është duke u zhvilluar një aksion diplomatik që synon ta sjellë Serbinë në atë pikë ku duhet të vendosë patjetër për përcaktimin e saj”, ka thënë ajo.

Zonja Biserko ka thënë se Prishtina dhe Beogradi tashmë kanë në tryezë ofertën për zgjidhje dhe ka theksuarb se kjo  ofertë duhet të pranohet.

“Vizita e Derek Cholett është padyshim një nga më të rëndësishmet sepse edhe ai erdhi me një ofertë. Nuk ka të bëjë vetëm me ringjalljen e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por në tavolinë është edhe një ofertë për Kosovën dhe Serbinë, e cila duhet pranuar”, ka thënë ajo.

Sonja Biserko ka thelsuar se Perëndimi nuk do të tolerojë më provokimet dhe eskalimin e situatës në rajonin e Ballkanit.

“Pas festës së 9 janarit në lindje të Sarajevës [Ditës së Republikës Serbe në Banjallukë], si dhe dhënies së dekoratës për presidentin rus, Vladimir Putin dhe paradës së ‘Vagnerëve’ [formacion paraushtarak i Putinit], si edhe pranisë së tyre në Serbi, respektivisht mobilizimit të qytetarëve të Serbisë për luftën në Ukrainë, janë provokime që Perëndimi nuk do t’i tolerojë më”, ka thënë Biserko.

“Perëndimi nuk do të lejojë një front të dytë në Ballkan, çfarëdo që të thotë kjo”, ka theksuar ajo.

Sipas saj, nga deklarata e ambasadorit suedez në Zagreb se nuk përjashtohet përshkallëzimi i luftës mes Rusisë dhe NATO-s dëshmon se nuk duhet nënvlerësuar aksioni aktual diplomatik i Perëndimi që synon stabilizimin dhe konsolidimin e Ballkanit.

“Nuk ka kohë për të zvarritur apo për të pritur oferta të reja”, ka theksuar zonja Biserko.

(r.m.)