Biserko: Rebelimi i serbëve po e rrëzon Vuçiqin nga pushteti

Prishtinë, 1 korrik 2023 – Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka thënë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq, tani, për herë të parë, nuk ka kontroll mbi ngjarjet në Serbi. Ajo ka thënë se protestat në Serbi kundër Vuçiqit janë një hap drejt ndryshime të brendshme në Serbi.

 Prishtina ka akuzuar Beogradin për të gjithë dhunën e fundit në veri të Kosovës. E pyetur se pse SHHBA dhe BE nuk janë treguar të ashpra ndaj Serbisë, Biserko ka hedhur dyshime se ato kanë paralajmëruar në një mënyrë tjetër Beogradin për situatën në Kosovë.

“Perëndimi është i rezervuar kur është fjala për të kritikuar hapur Beogradin për situatën aktuale në Kosovë. Nuk e di nëse po e paralajmërojnë Beogradin në një mënyrë tjetër për nxitje të tensioneve në veri. Duhet pasur parasysh se për herë të parë presidenti Vuçiq nuk ka kontroll mbi ngjarjet në vetë Serbinë. Protestat “kundër dhunës në Serbi” bartin një energji të re, do të thosha para së gjithash çlirim nga frika. Kjo nuk do të thotë që ndryshimet do të ndodhin shpejt, por gjithsesi këto protesta flasin për një proces që hap për momentin çështje të brendshme”, është shprehur Biserko për gazetën “Bota sot”.

Sipas saj, edhe rebelimi i serbëve në veri të Kosovës po e rrëzon Vuçiqin nga froni.

“Vuçiqi, me kundërtubimin e tij, u përpoq të imponojë se kërcënimi i serbëve jo vetëm në Kosovë, por në mbarë rajonin, ka prioritet dhe se uniteti në këtë moment është imperativ. Por, këtë herë nuk funksionoi. Rebelimi i serbëve në veri kundër Listës Serbe dhe kundër Vuçiqit e delegjitimon edhe më shumë Vuçiqin, i cili deri më tani njihej si zot i vetëm i Serbisë. Kjo shpjegon edhe sjelljen e presidentit, i cili duket mjaft i humbur. Në komentin e saj, RIA Novosti e Moskës thotë se rebelimi po e rrëzon Vuçiqin nga froni”, ka thënë Biserko.

Ajo e ka akuzuar Beogradin se serbët në veri të Kosoovës po i kërcënon dhe po i privon nga e vërteta.

“Beogradi ndjek një politikë që nuk është në interes të komunitetit serb dhe të mbrojtjes së interesave të tyre jetike. Për më tepër, Beogradi po përhap edhe dezinformata që i stigmatizojnë më shumë serbët në veri. Serbët në veri janë të privuar nga e vërteta, sepse Beogradi po i kërcënon gazetarët që guxojnë të raportojnë në mënyrë profesionale. Për këtë arsye, redaktori i portalit Kossev u është ekspozuar kërcënimeve më të tmerrshme, gjatë javës së kaluar, pasi e ka shkelur urdhrin që të mos i xhirojë të rinjtë me maska”, ka thënë Biserko.

Sipas saj, “komuniteti ndërkombëtar nuk ka një politikë konsistente ndaj Kosovës, sepse udhëhiqet nga interesi parësor i tij – ta fitojë Serbinë drejt Perëndimit”.

(Botasot)