Beograd, 12 shkurt 2024 – Sonja Biserko, kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po përballet me një presion të madh të faktorit ndërkombëtar për shkak të sulmit terrorist në Banjskë, në pjesën veriore të Kosovës, më 24 shtator të vitit të kaluar., dhe për shkak të parregullsive në zgjedhjet e fundit në Serbi.
Në një bisedë me “Antena M”, Biserko ka thënë se reagimi i shpejtë dhe i vendosur i Perëndimit ndaj sulmit në Banjskë është një tregues i qartë i seriozitetit të situatës.
“Vuçiq është një figurë që aktualisht po përballët me presion të konsiderueshëm, jo vetëm për shkak të çështjeve të brendshme elektorale, por edhe për incidentin në Banjskë, i cili paraqet një kërcënim të drejtpërdrejtë për stabilitetin e gjithë rajonit, madje edhe më gjerë. Reagimi i shpejtë dhe i vendosur i Perëndimit ndaj këtij sulmi është një tregues i qartë i seriozitetit të situatës. Provat që u publikuan nga Qeveria e Kosovës ishin shumë të detajuara dhe bindëse. Nga ana tjetër, përkrahja e Rusisë për Serbinë, e cila ka një influencë tejet të fuqishme në disa nga institucionet e vendit, nuk duhet injoruar”, është shprehur ajo.
Zonja Biserko ka thënë se Vuçiqi, me pranimin e Marrëveshjes së Brukselit, ka pranuar e Serbia e ka humbjen e Kosovës, por kërkon kohë për marrjen e vendimit për zbatimin e marrëveshjes.
“Pozicioni i Vuçiqit do të zhvillohet në përputhje me rrjedhën e ngjarjeve. Do të merren disa vendime me kohë, pasi ai, me siguri, nuk do të ndërmarrë veprime të nxituara. Marrëveshja e Brukselit shënon praktikisht dorëzimin e Kosovës nga ana e Serbisë”, ka thënë Biserko.
Ajo ka thënë se Vuçiqi do të jetë i përmbajtur deri në përfundimin e zgjedhjeve në SHBA dhe në Bashkimin Europian.
(r.m.)