Dhe as njeriu që ka të gjitha levat e pushtetit në Shqipëri nuk guxon që t’ia prishë
Nga Ruben Avxhiu
Jam kurioz sesa do të mësojmë kur të marrim vesh se cilat firma ndërtimi e biznese do të shfrytëzojnë hapësirën e krijuar në Tiranë nga shembja e Teatrit Kombëtar.
Aty mbase mund të mësojmë se kujt nuk guxon t’ia vonojë më projektin kryeministri i Shqipërisë. Le ta anashkalojmë pak këtu kryebashkiakun Erion Veliaj, se duke pasur parasysh sesa akute u bë kjo krizë, duke sjellë së fundi edhe kundërshtimin e vonuar, por shumë të qartë të Bashkimit Europian, nuk ka dyshim se ky akt nuk mund të ndërmerrej pa vendimin, miratimin, madje këmbënguljen e Edi Ramës.
Dhe kjo është akoma edhe më shokuese, që politikani, i cili ka grumbulluar më shumë pushtet se kushdo tjetër në historinë e Shqipërisë që prej Ramiz Alisë në vitin 1990, nuk guxon, jo të anullojë, por as të modifikojë një projekt zhvillimi, pak metra nga zyra e tij, që të mund të zbuste disi konfliktin për këtë ngjarje.
Mbase nëse bëhen një ditë të njohur emrat e bizneseve që nuk presin dot pa filluar aty, mund të mësojmë se kush e tërheq nga veshi të plotfuqishmin e Shqipërisë, kush ia përqesh dhe injoron batutat dhe tonin e vetësigurtë folklorik që përdor në komunikimet publike e kujt ka frikë t’ia hedhë ndonjë pikë nga dallgët e qesëndisjes që ua lëshon komentuesve në rrjetet sociale.
E shkruaj këtë si dikush që nuk ka pasur emocione të zjarrta lidhur me ndërtesën e Teatrit. Si çdo njeri i arsyeshëm kam thënë po mbaje këtë që ke dhe ndërtoje edhe një të re. Ka kaq shumë katrahurë në Tiranën urbane sot, saqë bashkekzistenca e dy ndërtesave teatrosh, një e re e modern dhe një e vjetër dhe historike do të ishte një konflikt i papërfillshëm.
As nuk jam prekur dot, si janë prekur shumë të tjerë nga emocionet e aktorëve që kanë qenë kundër prishjes. (Shumë të tjerë kanë qenë pro ndryshimit të propozuar nga qeveria). As nuk më është dukur se bashkimi me opozitën e ndihmoi kauzën e tyre. As nuk do të kisha dalë në protestë po të jetoja në Shqipëri.
Ajo që e bën të padurueshme sagën e Teatrit fillon dhe mbaron me kryeministrin e Shqipërisë. Me të vetmin njeri që ka pasur luksin të gjejë një zgjidhje të ndërmjetme që ia heq opozitës një kartë që ka simpati të gjerë, duke e lënë selinë, ashtu si kemi lënë bunkerë nga koha e Enverit, si kemi lënë shtëpinë me gjethe, gërmadha kështjellash, xhaminë e Et’hem Beut etj. Imagjino sikur xhamia e madhe e sponsorizuar nga Erdogani të vinte me kushtin për të prishur atë të Et’hem Beut. Pse ka qenë kaq e vështirë të imagjinohej një kompromis?
Unë nuk kam detaje, por dyshoj thellësisht se puna është te paraja. Te prona e patundshme. Te hapësira e kufizuar në zemër të Tiranës. Teatri për fatin e tij të keq, nuk është matur me vlerë emocionale e historike, por me metrat katrorë dhe pozicionin që ze si pronë e patundshme. Apo në këtë rast, “pronë e shembshme”.
Nuk është të them të drejtën trimëria dhe vendosmëria e disa protestuesve që më habit më shumë se çdo gjë sot. Është dobësia dhe pasiguria e njeriut që ka të gjitha levat e pushtetit në vend. Nëse ky njeri nuk guxon të ofrojë kompromis, çfarë janë qytetarët e tjerë përballë bishës së ndërtimeve? Vetëm kurora e mbretit ka mbetur pa iu vënë në kokë Ramës dhe prapë ka frikë të pezullojë një ndërtim, në kohë pandemie që ia kishte dhënë të gjitha justifikimet e botës për t’u thënë që të prisnin edhe pak atyre që nuk pranuan të presin më.
Kjo më bën pesimist në disa nivele. Më së shumti në kuptimin që rrëzimi i Edi Ramës, dhe unë i besoj vetëm ndryshimeve nëpërmjet votës, nuk do të sjellë asgjë të re, nëse del ai nga xhepi i oligarkëve dhe hyn kryeministri i ardhshëm.
Në dramën tragjike që po luhet në sytë e popullit shqiptar, personazhet më negative ende janë prapa skene.