Prishtinë, 16 maj 2022 – Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka folur mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Bislimi ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm përpara për Kosovën.
“Kosova ka bërë një hap të rëndësishëm përpara me aplikimin në Këshillin e Evropës. Pas anëtarësimit qytetarët tanë do të kenë edhe një instancë evropiane për t’ i adresuar çështjet e tyre”, ka thënë Bislimi të hënën, në mbledhjen e qeverisë.
Ai ka thënë se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në KE është bërë në koordim të plotë me miqtë dhe partnerët e Kosovës.
“Dorëzimi i aplikacionit është bërë në koordinim me miqtë dhe partnerët e Kosovës”, ka thënë ai
Bislimi ështëshprehur optimist se të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës, përfshirë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës, do ta përkrahin anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
“Ne besojmë fuqishëm se të gjitha vendet e KE-së që e kanë njohur Kosovën do ta mbështesin këtë rrugëtim. Besojmë që edhe vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën do të dëshmojnë që nuk kanë asnjë interes për pengimin e këtij rrugëtim të shtetit tonë”, ka thënë Bislimi. (r.m.)