Bislimi bisedon me Varhelyin lidhur me aplikimin për anëtarësim në BE

Bruksel, 8 dhjetor 2022 – Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka biseduar me komisionarin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në bllokun evropian.

Kosova ka paralajmëruar se do të dorëzojë aplikimin para përfundimit të vitit.

“Aplikimi i shpejtë i Kosovës për të nisur procesin e anëtarësimit në BE, ishte tema e takimit me Bislimin”, shkroi Varhelyi në rrjetin social Twitter.

Bislimi, i cili po qëndron në Bruksel, ka biseduar edhe me zyrtarë të tjerë të Komisionit Evropian dhe Këshillit të BE-së lidhur me aplikimin për anëtarësim.

Sipas procedurave të zgjerimit, vendimet i marrin shtetet anëtare të BE-së, ndërsa Komisioni Evropian nuk ka dashur që komentojë për paralajmërimet e Kosovës për aplikim.

“Komisionari Varhleyi ka pasur takim me zëvendëskryeministrin Bislimi. Kosova publikisht ka paraqitur qëllimin që të aplikojë për anëtarësim në BE. Nuk na takon ne që të komentojmë për këtë çështje. Traktati është i qartë sa i përket procedurës për aplikim për anëtarësim në BE. Kjo është një çështje për të cilin vendos Këshilli se si do të veprojë pasi të dorëzohet aplikimi”, tha Ana Pisonero, zëdhënëse e KE-së.

Kosova është e fundit nga shtetet e Ballkanit Perëndimor sa i përket rrugës së saj drejt integrimeve evropiane.

Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtetet që kanë bërë më së shumti përparim, pasi kanë hapur disa kapituj në procesin e anëtarësimit. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria këtë vit kanë hapur procesin e bisedimeve. Ndërkaq, KE-ja së fundmi ka rekomanduar që Bosnjë e Hercegovinës t’i jepet statusi i vendit kandidat, nëse plotëson disa kushte.

Deri më tani, Kosova dhe BE-ja kanë vetëm një marrëveshje kontraktuale, përkatësisht Marrëveshjen për Stabilizim Asociim.

(REL)