Bislimi e Lajçak takohen sot në Bruksel, për të biseduar për tejkalimin e krizës aktuale

Bruksel, 15 nëntor 2022 – Kryenegociatori i Kosovës në bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, ndodhet në Bruksel, për të takuar të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Burimet diplomatike thonë se qëllim i këtij takimi është të shihen mënyrat se si të vazhdohet dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe propozimet për tejkalimin e krizës aktuale.

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë rritur prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Janë rreth 9.000 makina me targa të tilla që qarkullojnë në veri të Kosovës, ku popullata shumicë është serbe dhe në masë të madhe kontrollohet nga Beogradi zyrtar.

Qeveria e Kosovës do që këto makina të riregjistrohen me targa të Republikës së Kosovës, RKS, por Serbia kundërshton, duke këmbëngur në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e rritjes së tensioneve, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

Zyrtarët në BE paralajmëruan takime edhe me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, por, tash për tash, thanë se nuk pritet ndonjë takim Bislimi-Petkoviq.

Një ditë më herët, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia, urgjentisht, duhet të tregojnë gatishmëri për uljen e tensioneve.

Borrell tha se 21 nëntori – dita kur, sipas planit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave, pritet të nisë gjobitja e shoferëve me targa të paligjshme – nuk duhet t’i gjejë Kosovën dhe Serbinë pa një marrëveshje për targat.

BE-ja dhe SHBA-ja kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës shtyrjen e planit për riregjistrimin e makinave, me qëllim shmangien e tensioneve.

Qeveria e Kosovës, megjithatë, ka nisur zbatimin e tij më 1 nëntor.

Faza e parë e planit parasheh qortimin e shoferëve që vozisin makina me targa të paligjshme; e dyta parasheh gjoba prej 150 eurosh, ndërsa në të tretën do të shpërndahen targa provuese.

Me këtë plan, pritet që nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa RKS.

(REL)