Bislimi e Lajçak thonë se ka pajtim për hapat drejt shtensionimit në veri

Bratisllavë, 10 korrik 2023 – Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, thanë se janë pajtuar për hapat drejt shtensionimit të situatës në veri.

Megjithatë, asnjëri nga zyrtarët nuk tregoi se për çfarë hapash janë pajtuar që të ndërmerren.

“Jemi pajtuar për hapat e nevojshëm për të siguruar shtensionim efektiv të situatës dhe të bazuar në ligj dhe për përqendrim në normalizimin dhe zbatimin e sundimit të ligjit”, shkroi Bislimi në Twitter pas takimit me Lajçakun në Bratisllavë.

Lajçak tha se të hënën në Bratisllavë ka zhvilluar “bisedime intensive” me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

“Kemi biseduar për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, në përputhje me deklaratën e shteteve anëtare të BE-së më 3 qershor, dhe për mënyrën përpara për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog. Jemi pajtuar për hapat e parë drejt arritjes së këtij qëllimi”, shkroi Lajçak në Twitter.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga fundi i majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e policisë.

Serbët lokalë kundërshtuan këtë gjë dhe që atëherë kanë protestuar në komunat në veri, të banuara me shumicë serbe.

Bashkimi Evropian i ka paraqitur tri kërkesa Kosovës për të shtensionuar situatën, të cilat ende nuk janë plotësuar nga Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti.

Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave, BE-ja që nga fundi i qershorit po zbaton disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës. Kryeministri Kurti i ka quajtur këto masa “të padrejta” dhe është shprehur i gatshëm të organizohen zgjedhje të reja në veri, por ato, siç ka thënë ai, duhet të përgatiten që të mos ketë sërish bojkot.

Kryetarët e rinj në komunat veriore u zgjodhën më 23 prill, në votimet që u bojkotuan nga popullata dhe partitë serbe.

(REL)