Bislimi e Nagavci u shpërndanë tekste shkollore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë në Luginë të Preshevës

Prishtinë, 6 shtator 2022 – Qeveria e Kosovës ka mundësuar pajisjen me tekste shkollore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë të shkollave fillore në Luginë të Preshevës.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, së bashku me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, të hënën, u shpërndanë tekste mësimore nxënësve të shkollave fillore ‘’Muharrem Kadriu’’ në fshatin Tërnoc i Madh të Bujanovcit dhe ‘’Zenel Hajdini’’ në fshatin Raincë të Preshevës, njoftoi Qeveria e Kosovës.

‘’Është e rëndësishme që ajo çfarë ka munguar më herët në fushën e arsimit, si furnizimi me tekstet mësimore në gjuhën shqipe, të mos mungojë për brezat e ardhshëm dhe të kenë tekstet në gjuhën e tyre’’, citohet Bislimi.

Bislimi dhe Nagavci kanë shprehur kënaqësinë për dhurimin e këtyre teksteve, për herë të parë në Luginën e Preshevës.

“Drejtorët e këtyre shkollave i mirëpritën dhe shprehën mirënjohje për këtë iniciativë të Qeverisë dhe vlerësuan lartë kontributin e dhënë. Nga to, u pranuan dhurata simbolike, si libra dhe literaturë në gjuhën shqipe, të shkruar nga autorë nga Lugina e Preshevës”, thuhet në njoftim.

Vlera e vënë në dispozicion për sigurimin e teksteve kap shifrën e 255 mijë eurove.

Gjatë këtyre vizitave, zëvendëskryeministri Bislimi dhe ministrja Nagavci janë shoqëruar nga Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi.

(r.m.)