Bislimi e Petkoviq do të takohen të mërkurën në Bruksel

Bruksel, 18 korrik 2023 – Zëvendëskryeministri dhe kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, do të marrë pjesë në takimin e planifikuar të mërkurën në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, tha këshilltari i tij politik Klisman Kadiu për Radion Evropa e Lirë.

“Mund të konfirmoj nga ana jonë, zëvendëskryeministri Bislimi nesër do të jetë në Bruksel”, thuhet në përgjigje.

Ndrkohë, në një përgjigjë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar se i dërguari për dialogun, Miroslav Lajçak, do të presë në takim kryenegociatorët nga të dyja palët.

“Fokusi do të jetë tek implementimi i marrëveshjes së 27 shkurtit [Marrëveshja Bazë] dhe hapat për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës”, tha Stano.

Takimi ndërmjet dy kryenegociatorëve në Bruksel është hapi i katërt i dakorduar mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.

Më 10 korrik, Bashkimi Evropian dhe Kosova ranë dakord për një sërë hapash që Kosova duhet t’i ndërmarrë si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën e krijuar në veri të vendit.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë hapat do të “finalizohen brenda një periudhe dyjavore”.

(REL)