Prishtinë, 6 prill 2023 – Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se ka një pajtim të plotë në Bruksel që do të jenë pesë kritere përmes të cilave do të shihet se a është i pranueshëm si bazë për diskutim drafti i statutit që propozohet nga ekipi menaxhues për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“E para, a parasheh ky draft një shtresë të re të qeverisjes, e nëse e parasheh nuk konsiderohet i pranueshëm për diskutim të mëtejmë. E dyta, a parasheh të drejta kolektive, nëse po, e merr epitetin e një drafti të papranueshëm”, tha ai në raportimin para Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës.
Bislimi tregoi edhe për tri kriteret tjera.
“Në ç’masë është [drafti i statutin] në harmoni në marrëveshjet e 2013 dhe 2015 [për Asociacionin]”. Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 [për Asociacionin]. Si dhe, në ç’masë është në harmoni me letrën që [ish-Përfaqësuesja e Lartë, Federica] Mogherini, i ka dërguar Qeverisë se çfarë kompetenca mund të ketë Asociacioni”, tha ai.
Zëvendëskryeministri i Kosovës tha se këto “janë pesë siguresa të mjaftueshme që tregon se ky mekanizëm apo ky lloj i vetëmenaxhimi nuk ka asgjë nga ajo që ne e kemi quajtur Zajednica [Asociacioni]”.
Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pranuan Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve në bazë të propozimit evropian, ndërsa më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin për zbatimin e saj.
Aty parashihet edhe zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën. Por, kjo gjykatë ka thënë se ky asociacion mund të formohet nëse parimet që nuk janë në harmonizim me Kushtetutën, harmonizohen.
I pyetur nga gazetarët të enjten se a është gati drafti që do të prezantohet për formimin e Asociacionit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se fillimisht do t’i analizojë me Bislimin “rezultatet nga takimi që është zhvilluar në Bruskel më 4 prill dhe mandej do të përcaktojmë një ecje përpara për muajin prill brenda së cilit do të ketë edhe një takim të nivelit të lartë”.
“Edhe një herë po theksoj se duhet të zbatohet e gjithë marrëveshja dhe në kuadër të marrëveshjes kemi një nen, i dhjeti që është për zbatimin e marrëveshjeve të mëhershme, por si një çështje urgjente në aneksin e zbatimit që u dakordua në Ohër, parashihet pikërisht çështja e të pagjeturve nga lufta, përkatësisht e të zhdukurve me dhunë”, tha ai pas një ngjarjeje në Prishtinë.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se gjatë takimit trilateral në Bruksel, të martën, është diskutuar për Asociacionin dhe se hapi i parë tashmë është “prezantimi i draft-statutit, të cilin e ka hartuar ekipi menaxhues në kuadër të dialogut të nivelit të lartë”.
Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.
Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.
(REL)