Bislimi: Jemi të shqetësuar me anshmërinë e Borrellit

Prishtinë, 2 shkurt 2022 – Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili është edhe kryenegociator në procesin e dialogut me Serbinë, ka thënë se pala kosovare është e shqetësuar me anshmërinë e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell.

Ai ka thënë se Borrelli po mban qëndrime që jodomosdoshmërisht janë të Bashkimit Evropian.

“Në muajt e kaluar kemi pasur një seri të situatave, kur deklarimet e z.Borell, qoftë përmes mediave sociale, qoftë në konferenca për media, jo domosdoshmërish kanë qenë në funksion të krijimit të besimit në procesin e dialogut dhe jodomosdoshmërisht kanë qenë në harmoni me qëndrimin që do të mbante z.Borrell si ombrellë. Këto janë edhe shqetësime të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Ka disa indikatorë që tregojnë se z.Borrell jo domosdoshmërisht po arrin ta ruajë paanshmërinë dhe jodomosdoshmërisht po mban qëndrime që nuk janë qëndrime të Bashkimit Evropian”, ka thënë Bislimi, në emisionin “DESKU” në KTV.

Bislimi ka thënë se këtë shqetësim ai e ka ngritur edhe me partnerë në Bruksel si edhe me dy adresa të tjera, të cilat nuk ka dashur t’i bëjë të ditura.

Duke folur për procesin e dialogut, Bislimi ka thënë se në këtë proces, në vend setë kishte progres ka pasur regres. Sipas tij, procesi që ka filluar para më shumë se 10 vjetësh ka pasur largim të pozicionit të palëve.

Bislimi ka thënë se tashmë u pa se Serbia është e gatshme të vë në veprim edhe ushtrinëme tërë arsenalin luftarak, përfshirë edhe aeroplanët, për çështje që para 10 vjetësh nuk do të kishte asnjë reagim.

Zëvendëskryeministri i Kosovës tha se në takimin që ka zhvilluar të hënën në mbrëmje në Prishtinë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian,Miroslav Lajçak, është dakorduar që gjatë muajit shkurt të zhvillohet një takim në nivel kryenegociatorësh në të cilin do të shqyrtohen edhe mundësitë për mbajtjen e një takimi të novelit  më të lartë politik.

(r.m.)