Bislimi: Ka mbetur vetëm edhe një votim i fundit për liberalizimin e vizave

Prishtinë, 23 mars 2023 – Zëvendës kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka reaguar pasi Komiteti LIBE votoi sot pro heqjes së vizave për Kosovën në Parlamentin Evropian.

Sipas Bislimit, pas kësaj ka mbetur vetëm edhe hapi i fundit në seancën e Parlamentit Evropian, që do të mbahet më 18 prill ku dhe do të mbetet vetëm nënshkrimi dhe publikimi në gazetën zyrtare të BE-së.

“Edhe një votim i fundit ka mbetur, në përmbylljen e procedurave për liberalizimin e vizave”.

“Pas votimit të Këshillit të Ministrave të BE-së me 9 mars, Komiteti i Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështjet e Brendshme (LIBE) votoi ditën e sotme tekstin që Kosovës t’i hiqet regjimi i vizave, duke hapur kështu rrugën për votimin e fundit të mbetur nё seancën plenare tё Parlamentit Evropian”.

Zëvendëskryeministri thotë se pas hapit të fundit në seancën e Parlamentit Evropian, i cili pritet të mbahet me 18 prill, do të mbetet vetëm nënshkrimi dhe publikimi në gazetën zyrtare të BE-së.

“Në përfundim të këtyre procedurave të fundit, qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza, jo më larg se 1 janari i vitit 2024, duke i dhënë kështu fund një pritjeje të gjatë”, ka shkruar tutje Bislimi.

(Telegrafi)