Bislimi: Kërkesat e shqiptarëve në Luginë janë plotësisht legjitime

Prishtinë, 12 gusht 2024 – Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se kërkesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës të shprehura të hënën në protestën e mbajtuar në Bujanovc janë plotësisht legjitime dhe të drejta.

Bislimi ka deklaruar se Qeveria e Koasovës do të mbështesë shqiptarët e Luginës në realizimin e të drejtave të tyre dhe se mbetet e angazhuar për të ngritur shqetësimet e tyre në nivele ndërkombëtare.

“Shqiptarët e Luginës së Preshevës vijojnë të përballen me një situatë të papranueshme diskriminimi sistematik, që cenon të drejtat e tyre themelore. Kërkesat e tyre për ‘respektimin e marrëveshjeve politike, ndalimin e pasivizimit të adresave, njohjen e diplomave të Kosovës dhe përfshirjen e drejtë në institucionet shtetërore’ janë plotësisht legjitime dhe të drejta. Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet bashkëkombësit tanë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë si dhe mbetet e angazhuar për të ngritur këto çështje në nivelet më të larta ndërkombëtare dhe të kërkojë përkrahje për t’i dhënë fund diskriminimit të padrejtë”, ka shkruar Bislimi në Facebook.

“Zgjidhja e këtyre çështjeve është dëshmi edhe për përkushtimin ndaj demokracisë dhe të drejtat e njeriut, e cila mungon nga fqinji ynë verior, që në vazhdimësi shkel të drejtat e komunitetit shqiptar”, ka theksuar ai.

(r.m.)