Bislimi: Kosova e Serbia tani janë shumë më larg njëra-tjetrës se kur ka filluar dialogu

Prishtinë, 8 tetor 2022 – Zëvendëskryeministri për integrim evropian, zhvillim dhe dialog, Besnik Bilsimi, deklaroi se Kosova dhe Serbia tani janë shumë më larg njëra-tjetrës se në vitin 2011. kur ka filluar procesi i dialogut.

Në Seminarin e 102-të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në Prishtinë, ai tha se ekzistojnë disa arsye që dialogu nuk ka pasur rezultatet e pritura, për shkak të hapjes së çështjes së kufirit midis dy shteteve.

“Sipas meje në vitin 2022 Kosova dhe Serbia nuk janë më afër sesa që ishin në vitin 2011 por janë shumë më larg njëra-tjetrës nga koha kur filloi dialogu. Në vitin 2011 Serbia kurrë nuk do të ngriste tema në lidhje me kufijtë kurse tani nevojitej vetëm një vendim për të zbatuar marrëveshjen kur Serbia e ngriti çështjen e kufijve. Në vitin 2011 Serbia nuk i kishte 48 baza policore përgjatë kufirit me Kosovën, sot i kanë ato, dhe janë vetëm një kilometër larg kufirit me Kosovën”, tha Bislimi.

Ai e kritikoi edhe Bashkimin Evropian se është angazhuar për nënshkrmin e sa më shumë marrëveshjeve, porjo edhepër zbatimin e tyre.

“Të gjitha përpjekjet e palëve në BE kanë qenë deri te nënshkrimi i marrëveshjeve, sepse nënshkrimi bëhej lajm. Mund të dilnit para mediave dhe të shprehnit mirënjohje, duke thënë: ‘falë vizionit tim dhe angazhimit tim arritëm marrëveshje’, por pas asaj askush nuk është interesuar se çfarë po ndodh në terren”, u shpreh ai.

Bislimi tha se Serbia po fshehet prapa pesëshes së Bashkimit Evropian që nuk ka njohur pavarësinë e Kosovës, ndërsa këto shtete e lidhin çështjen e njohjes me procesin e dialogut.

Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se Serbia nuk ka vullnet për pëmbylljen e dialogut.

“Serbia duket sikur nuk ka interes për t’u marrë seriozisht me dialogun dhe kryesisht merret me problematikën e energjis dhe me rreshtimin në krah të Rusisë… Deri më tani kemi parë mungesë të vullnetit të palës serbe që të angazhohet në mënyrë konstruktive, qoftë për normalizimin të plotë të raporteve, qoftë për zgjidhjen e ndonjërit prej problemeve ekzistuese pë sa i përket zbatimit të marrëveshjeve të kaluara”, tha Bislimi.

(r.m.)