Bruksel, 16 nëntor 2023 – Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë të enjten se pa nënshkrim të marrëveshjeve të arritura deri më tani, nuk mund të ecet përpara drejt zbatimit të tyre, derisa homologu i tij serb, Petar Petkoviq, ka thënë se draft-statuti për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ka qenë tema kryesore e diskutimit.
Të dy janë takuar ndaras me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ndërsa takim trepalësh nuk ka pasur.
Bislimi e ka konfirmuar se në takim me Lajçakun është diskutuar për një plan të sekuencuar të zbatimit të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe për aneksin e zbatimit.
Palët kanë arritur pajtueshmëri për këtë Marrëveshje në shkurt në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit, në mars në Ohër.
“Gjatë javës së kaluar, zoti Lajçak na e ka sjellë një draft të ri, i cili e fut për herë të parë paralelizmin e plotë në zbatimin e Marrëveshjes, apo zbatim më të balancuar, dhe ne jemi përpjekur që për këtë draft t’i japim komentet finale, në mënyrë që i njëjti të jetë i pranueshëm edhe për palën tonë. Mendoj se ka pasur gatishmëri të madhe të Lajçakut që t’i akomodojë propozimet tona dhe të gjitha janë argumentuar mirë në detaje”, ka thënë Bislimi, pas takimit.
I pyetur nëse është diskutuar për draft-statutin për formim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë – të dorëzuar nga një delegacion perëndimor javë më parë në Prishtinë e Beograd – Bislimi ka thënë se kjo pikë ka qenë në agjendë, por pala kosovare e ka bërë të qartë qëndrimin e vet qysh më 26 tetor, kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka biseduar me zyrtarët perëndimorë.
Ai ka thënë se duhet të ketë nënshkrim të draft-statutit dhe Marrëveshjes për normalizim, në mënyrë që ato të zbatohen.
“Nuk mund të nisë zbatimi [pa nënshkrim], sepse duhet garancia që kemi një marrëveshje valide, që sjell obligime edhe për palën tjetër”.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
I pyetur nëse qëndron deklarimi i zyrtarëve evropianë se draft-statuti i prezantuar është versioni më i mirë që ka pranuar Kosova, Bislimi ka thënë se një qëndrim i tillë është subjektiv, sepse “Kosova nuk ka pasur deri më tani oferta”.
“Kemi pasur drafte që kanë qarkulluar, por mund të themi që drafti që i është dorëzuar Kosovës nga miqtë tanë të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së, gjatë përgatitjes së neneve të veta, ka pasur një kujdes të shtuar për provizionet kushtetuese të Kushtetutës së Kosovës”, duke shtuar se çështja nëse është ai dokument plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës e vendos Gjykata Kushtetuese.
Bislimi ka thënë se në takim është diskutuar edhe për çështje të energjisë, për regjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës, dhe për mbajtje të zgjedhjeve në komunat në veri të Kosovës.
I pyetur nëse do të ketë një takim të radhës në kuadër të dialogut mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, deri në fund të vitit, Bislimi ka thënë se Lajçak nuk ka përmendur datë konkrete.
“Është fakt që zgjedhjet në Serbi e kanë dëmtuar shumë procesin, për arsye se janë caktuar si obstruksion për ecurinë e procesit të dialogut. Kjo sjell paqartësi se si mund të ecim tutje. Sot gjatë takimit nuk është diskutuar assesi dhe asnjë moment opsioni për takime të radhës”.
Zgjedhjet e përgjithshme në Serbi janë shpallur për 17 dhjetor.
Komentet e Petkoviqit
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se në Bruksel ka qenë bashkë me 18 ekspertë të fushave të ndryshme.
“Kjo flet për seriozitetin dhe përgjegjësinë e Beogradit në procesin e dialogut me Prishtinën”.
Petkoviq ka thënë se me Lajçakun ka biseduar për statutin e Asociacionit dhe ka paralajmëruar se bisedimet do të vazhdojnë.
Sipas tij, ekspertët serbë “kanë folur në mënyrë shumë të argumentuar dhe të qartë për të gjitha aspektet e draft-statutit, veçanërisht për pjesën që ka të bëjë me kompetencat ekzekutive të Asociacionit, në radhë të parë planifikimin hapësinor, shëndetësinë, arsimin, zhvillimin ekonomik, si dhe faktin që Asociacioni të financohet nga Beogradi”.
“Statuti i Asociacionit është një dokument jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe ne i kushtojmë vëmendje çdo shkronje sepse ai duhet të përfaqësojë vetë shtyllën kurrizore të Asociacionit të komunave serbe dhe gjithçka duhet të jetë në përputhje me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015”, ka thënë mes tjerash Petkoviq.
Petkoviq ka përsëritur sërish “gatishmërinë e Beogradit zyrtar për të zbatuar gjithçka që është nënshkruar dhe rënë dakord”.
“Sigurisht që kemi biseduar për gjërat që kanë të bëjnë me obligimet e Beogradit dhe Prishtinës në kuadër të dialogut dhe kur është fjala për marrëveshjet e nënshkruara dhe ato gjëra për të cilat janë rënë dakord. Ne nuk ikim nga obligimet tona”.
Sipas tij vetëm me zgjidhje kompromisi mund të arrihet përparim në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.
Edhe Petkoviq ka thënë se Lajçaku ka vlerësuar që nuk ka qenë i nevojshëm një takim trepalësh.
Draft-statuti për Asociacionin
Drafti për Asociacionin u është dorëzuar palëve në Prishtinë dhe Beograd në tetor nga një delegacion i përbashkët i Shteteve të Bashkuara, BE-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës.
BE-ja e konsideron këtë draft si “plan modern evropian” dhe ka insistuar që palët ta pranojnë.
Ndonëse përmbajtja e këtij drafti vazhdon të mos jetë e qasshme për publikun, BE-ja dhe vendet kryesore anëtare, e konsiderojnë atë si propozimin më të mirë dhe si kompromis të cilin palët duhet ta shfrytëzojnë për të lëvizur përpara.
Komisioni Evropian e ka kritikuar Kosovën dhe Serbinë për mungesë gatishmërie për t’i zbatuar obligimet që dalin prej marrëveshjeve paraprake.
Në Raportin e Progresit të këtij Komisioni është konstatuar se palët nuk kanë nisur fare të zbatojnë Marrëveshjen drejt normalizimit.
Në këtë raport, Komisioni Evropian ka bërë ftesë për Kosovën dhe Serbinë që t’i qasen më me përgjegjësi obligimeve nga dialogu, duke rikujtuar se diçka e tillë është kyçe për përparimin e tyre në procesin e integrimeve evropiane.
Në takimet e fundit që kanë pasur liderët e Kosovës dhe Serbisë, me liderët e BE-së, Francës, Gjermanisë e Italisë në Bruksel, me 26 tetor, ata, sipas diplomatëve evropianë, “kanë shprehur gatishmëri që të pranojnë propozimin si bazë të mirë“.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shprehur gatishmëri të ecë përpara me këtë propozim, si dhe me zbatim të Marrëveshjes për normalizim.
Ai ka thënë se ka dashur ta nënshkruajë dokumentin, pasi “vetëm nënshkrimi nënkupton pranim dhe garanton implementim“.
Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka refuzuar ta nënshkruajë atë.
Në BE besojnë se takimet e së enjtes do të hapin rrugën për një dinamikë të re në procesin e zbatimit të marrëveshjeve.
Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.
Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.
(REL)