Bislimi: Qeveria e Serbisë nuk ka bërë kërkesë për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë

Prishtinë, 22 mars 2022 – Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka shprehur qëndrimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare e presidemnciale të Serbisë në territorin e Kosovës.

Bislimi e ka cilësuar të pasaktë deklaratën e zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, se Qeveria e Kosovës e ka refuzuar propozimin e QUINT-it dhe BE-së për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

“Mendoj që ka pak pasaktësi në këtë konstatim. Ne nuk kemi thënë se mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë është jokushtetuese, por kemi thënë që mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë pa aprovimin e institucioneve të Kosovës është jokushtetuese. Ne mendojmë që, në të kaluarën, dhe për këtë ka pajtim dhe consensus, të përgjithshëm edhe brenda vendeve të QUINT-it që zgjedhjet e Serbisë në Kosovë nuk kanë qenë kushtetuese deri më tani. Përpjekja e shteteve të QUINT-it ka qenë që të gjendet një modalitet i cili tejkalon atë shkelje kushtetuese, gjë që ka ndodhur përpara. Tash jemi më datë 22 mars dhe 3 prilli është pas 11 ditësh. Qeveria e Kosovës nuk ka mundur ta trajtojë një kërkesë që nuk ka ardhur nga Qeveria e Serbisë”, ka thënë Bislimi, gjatë raportimit në Komisionin për Punë të Jashtme të  Kuvendit të Kosovës.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka thënë se është e gatshmë të asistojë në organizimin e zgjedhjeve, por Qeveria e Serbisë nuk i ka drejtuar Qeverisë së Kosovës kërkesë për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.

“Sa i përket zgjedhjeve të Serbisë të datës 3 prill, ka pasur një vendim dhe ka ende një vendim të Qeverisë së Serbisë që këto zgjedhje të organizohen edhe në Kosovë dhe ka pasur kërkesa nga vendet e QUIN-it dhe nga OSBE që të shihen modalitetet brenda të cilave do të mundësohej mbajtja e këtyre zgjedhjeve. Qeveria e Kosovës ka qenë e gatshme dhe mbetet e gatshme që të asistojë Qeverinë e Serbisë, në rast se ajo dëshiron që qytetarët e Kosovës që kanë shtetësi të dyfishtë të marrin pjesë dhe të votojnë në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, sipas praktikave më të mira të vendeve të OSBE-së ose të BE-së, praktika këto që i kemi të pare në rastin e zgjedhjeve që Bullgaria i ka mbajtur në disa vende të BE-së, apo Rumania”, ka thënë Bislimi.

Bislimi ka treguar se deri më sot pala serbe nuk  ka shprehur gatishmëri për organizimin e zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës sipas këtyre praktikave.

“Sipas tyre (praktikave) nevojitet që qeveria e vendit që dëshiron t’i organizojë zgjedhjet t’i drejtohet me kërkesë qeverisë së vendit ku dëshiron t’i organizojë zgjedhjet dhe t’i lutë për mbajtjen e tyre. Kjo nuk ka ndodhur. Qeveria e Serbisë ka hezituar t’i drejtohet Qeverisë së Kosovës për mbajtjen e zgjedhjeve dhe ka preferuar që kërkesën ta bëjë përmes zyrës së ndërlidhjes. Kërkesa i drejtohet institucionit vendimmarrës. Rrjedhimisht, ne jemi në pritje të kësaj kërkese nga Qeveria e Serbisë, por pa një kërkesë të tillë ne nuk kemi substancë për vendimmarrje. Ka pasur propozime për formulime të mundshme, por s’ka pasur kërkesë nga Qeveria e Republikës së Serbisë”, është shprehur Bislimi.

Ai Bislimi komentoi edhe deklaratën e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano i cili tha sot se Kosova ka refuzuar propozimin e vendeve të QUINT-it për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë.

(r.m.)