Bislimi: S’duhet të lejojmë shpërqendrime të qëllimshme nga bisedimet për normalizimin e plotë

Bruksel, 15 nëntor 2022 – Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka zhvilluar të martën në Bruksel një takim me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Në fokus të takimit kanë qenë zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës, të shkaktuara nga vendimi i qeverisë për targat dhe braktisja e institucioneve shtetërore të Kosovës në veri nga serbët.

Në njoftimin e publikuar nga Kryeministria, thuhet se z. Bislimi ka theksuar rëndësinë e fokusimit të bisedimeve në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë.

“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj dialogut parimor dhe jemi të interesuar të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë”, citohet të ketë thënë Bislimi.

“Nuk duhet të lejojmë shpërqendrime të qëllimshme nga bisedimet për normalizimin e plotë nga veprime që synojnë përshkallëzimin në terren”, ka theksuar ai.

Sipas njoftimit, Bislimi ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për të vazhduar takimet e rregullta në Bruksel, për të diskutuar ë elementet e normalizimit të plotë të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, me njohjen reciproke në qendër.

Në njoftimin e Kryeministris thuhet se Bislimi e Lajçak kanë diskutuar për opsionet e zëvendësimit të targave ilegale të lëshuara nga Serbia me targa legale të Kosovës.

(r.m.)