Prishtinë, 13 shtator 2024 – Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, i ka përgënjeshtruar raportime e medieve në Serbi se Kosova e ka refuzuar takimin trepalësh të kryenegociatorëve në Bruksel, që ishte planifikuar të mbahet më 17 shtator.
Bislimi, në reagimin e tij në platformën “X”, e ka ka ftuar përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, të mohojë dezinformatat e qëllimshme të mediet serbe.
“Ftoj Lajçakun të mohojë dezinformimin e qëllimshëm nga mediat serbe, ku thuhet në mënyrë të rreme se Kosova ka refuzuar takimin trepalësh të kryenegociatorëve”, ka shkruar ai.
Bislimi ka thënë se Serbia u përpoq të imponojë pika të rendit të ditës së takmimit, siç ëashtë shprehur, “për konsum politik të brendshëm”.
“Për bisedimet e ardhshme të procesit të dialogut në Bruksel të vendosura për 17 shtator, Kosova ka pranuar një takim trepalësh sipas agjendës së caktuar nga ndërmjetësi. Fatkeqësisht, Serbia e refuzoi një takim të tillë, duke u përpjekur të imponojë pika të rendit të ditës kryesisht për konsum politik të brendshëm”, ka shkruar Bislimi.
Mirosllav Lajçak, javën e kaluar, gjatë vizitës në Kosovë, tha se me Bislimin ishin pajtuar për takimin e radhës”, por nuk kishte dhënë informacione më të detajuara. Ndërsa, më 10 shtator, gjatë vizitës në Serbi, tha se me Presidentin Aleksandar Vuçiq kishte biseduar për “përgatitjen për takimin e ardhshëm në nivel të kryenegociatorëve”.
Por, ishte Vuçiq ai që vuri në pikëpyetje vazhdimin e dialogut për shkak të, siç tha, “veprimeve të njëanshme të autoriteteve të Kosovës” në veri.
(r.m.)