Bislimi: Strukturat paralele serbe – shqetësim kryesor në Kosovë

Prishtinë, 3 mars 2022 – Zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Dialog dhe Zhvillim, Besnik Bislimi ka deklaruar se marrëveshja ligjërisht e obligueshme me njohje reciproke në mes Kosovës dhe Serbisë, është qëllimi përfundimtar dhe për këtë janë duke punuar për ta kornizuar procesin.

Bislimi i bëri këto komente në tryezën e diskutimit me temë “Dialogu nën Qeverinë Kurti: E ardhmja e procesit, sfidat dhe mundësitë për një marrëveshje finale”, të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS).

Në fillim të diskutimit Bislimi shpalosi pozicionin e Qeverisë Kurti në dialog dhe planet për vazhdimin e tij. Ndër të tjera, Bislimi tha se dialogu me Serbinë duhet të jetë i bazuar në principe të caktuara dhe se palët duhet të jenë të barabarta.

“Në çdo rast kur ne kemi hasur në qasje të pabarabartë, ne kemi aplikuar principin e reciprocitetit dhe ndikimi i kësaj qasje është vërejtur në terren dhe në tavolinën e bisedimeve”, shtoi ai.

Për më tepër, Bislimi pohoi se paralelisht janë duke zhvilluar edhe dialog të brendshëm me serbët lokalë.

Ai po ashtu ka theksuar se pesë shtetet mosnjohëse të Kosovës e shtojnë fuqinë negociuese të palës serbe.

“Megjithatë, situata e re me luftën në Ukrainë mund ta qartësojë pozicionin e këtyre pesë shteteve karshi Kosovës, pasi që një kërkesë e tillë është edhe nga BE-ja”, tha ai.

Në anën tjetër, politologu Behlul Beqaj theksoi se qasja e qeverisë ndaj këtij procesi ka qenë joreale dhe politikisht e gabuar. Ai theksoi se Qeveria ka treguar edhe papërgjegjshmëri ligjore në dialog duke aluduar për mos zbatim të disa marrëveshjeve të dakorduara.

Arbëresha Loxha-Stublla nga GLPS tha se është për t’u përshëndetur fakti që qeveria ka shtyrë përpara parimin e reciprocitetit në dialogun me Serbinë, që është një standard i marrëdhënieve ndërmjet shteteve të pavarura e sovrane, por që për një periudhë një vjeçare sa është në pushtet kjo qeveri ka qenë e mundur të bëhet më shumë.

Ajo po ashtu theksoi nevojën për një kujdes të shtuar gjatë procesit të negocimit në Bruksel, duke thënë se ngutitë e Kosovës në të kaluarën na kanë kushtuar më shumë marrëveshje që janë jo vetëm të dëmshme, por përbejnë pengesë në integrimin e serbëve në institucionet e vendit.

Në të njëjtën kohë, ajo vuri në pah nevojën që të kalohet prej negocimit të marrëveshjeve për gjëra teknike në një kapitull të ri negociues për një marrëveshjes finale.

“Procesi duhet te jetë i koncentruar në njohje reciproke e jo thjeshtë të shpresohet që fundi i procesit do ta sjell njohjen. Kërkohet vëmendje dhe kujdes në këtë kornizim, sepse rreziku i keqpërdorimit nga ana e Serbisë është shumë i madh’’, tha Loxha-Stublla.

GLPS prezantoi edhe platformën për dialog që vë në pah minimum pritjet nga ky proces, dhe vijat e kuqe që nuk duhet kaluar në dialog nga ana e Kosovës.

(Telegrafi)