Bislimi u shkruan 16 kongresistëve amerikanë: Jeni vënë në lajthitje. Tërhiqni nënshkrimet nga letra drejtuar Presidentit Biden

Prishtinë, 7 shkurt 2022 – Faton Bislimi, ish-deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Anëtar Ekzekutiv i Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, u ka shkruar letër dy bashkëkryesuesve të Grupit Serb në Kongresin e SHBA-së dhe 14 kongresistëve të tjerë që më 4 shkurt i kërkuan Presidentit Joe Biden thellimin e marrëdhënieve të SHBA-së me Serbinë.

Në letër, të cilin z. Bislimi e ka publikuar në Facebook, shpreh shqetësimin për pasaktësitë dhe shtrembërimet e fakteve për Serbinë, e cila cilësohet si “vend mik dhe aleat i SHBA-ve që nga Lufta e Dytë Botërore e deri më sot”.

“Si person që në Kongresin e SHBA-ve e sheh gardianin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, jam thellësisht i shqetësuar me përmbajtjen jo të saktë të letrës suaj e aq më shumë me prezentimin skajshmërisht të pasaktë që i bëhet Serbisë”, shkruan z. Bislmi.

Ai sjell një sërë faktesh që tregojnë se kongresistët amerikanë që e kanë nënshkruar letrën drejtuar Presidentit Biden janë vënë në lajthitje, prandaj u bëhet thirrje të tërheqin nënshkrimet e tyre nga ajo letër.

“Nuk kam dyshim se këto të dhëna të shtrembëruara dhe të pasakta ju janë ofruar nga kontaktet tuaja me qeveritarët e Serbisë, të cilët vazhdojnë të mohojnë të kaluarën dhe të injorojnë realitetin. Rrjedhimisht, kërkoj që ju të tërhiqni nënshkrimin tuaj nga letra në fjalë, ngase ajo nuk reflekton të vërtetën historike, por portretizon një Serbi që ende nuk ka lindur”, thekson Bislimi. 

Postimi dhe letra e plotë e Bislimit në gjuhën shqipe:

Siç ka thënë njëri nga presidentët më ikonik të SHBA-ve, John F. Kennedy, “mos pyet se çfarë mund të bëjë vendi yt për ty, por se çfarë mund të bësh ti për vendin tënd”. Unë sot në mëngjes i kam dërguar një letër të gjithë atyre Kongresistëve të nderuar të SHBA-ve që më 4 shkurt i shkruan Presidentit Biden për Serbinë duke lartësuar atë si një vend mik e aleat të SHBA-ve që nga Lufta e Dytë Botërore e deri më sot.

Askush nuk do e tregojë të vërtetën tonë historike nëse ne heshtim. Serbia për shekuj të tërë ka ndërtuar trillime nga më të çmendurat kundër popullit tonë nëpër krejt botën. Jo më!

Këtu e keni letrën time të përkthyer në shqip:

Kongresistes Claudia Tenney

Kongresistit Emanuel Cleaver

Dhoma e Përfaqësuesëve të SHBA-ve

Bashkë-Kryesuesë të Grupit Serb

Washington, DC 20515

E nderuar znj. Tenney dhe i nderuar z. Cleaver,

Po ju shkruaj sot në cilësinë time si ish-Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe si Anëtar Ekzekutiv i Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane për të shprehur brengosjen time të sinqertë në lidhje me letrën tuaj drejtuar Presidentit Biden për Serbinë të datës 4 shkurt 2022, e cila u nënshkrua edhe nga 14 kolegë tuaj.

Jam lindë e rritë në Kosovë, kam përjetuar okupimin brutal serb të vendlindjes sime si fëmijë, e si i ri (adoleshent) kam qenë refugjat i ndarë prej familjes sime gjatë luftës së Kosovës 1998-99. Më vonë, kam pasë mundësinë që të studijoj e jetoj në SHBA, duke përfshirë edhe angazhimin në stafin e Komitetit për Marrëdhënje Ndërkombëtare të Kongresit nën udhëheqjen e të ndjerit Tom Lantos në fillim të viteve 2000. Si person që sheh në Kongresin e SHBA-ve gardianin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, jam thellësisht i shqetësuar me përmbajtjen jo të saktë të letrës suaj e aq më shumë me prezentimin skajshmërisht të pasaktë që i bëhet Serbisë.

Të dhënat historike për Serbinë të thëna në letër mund të jenë të vërteta pjesërisht, por ato nuk munden t’i lënë nën hije krimet serbe ndaj hebrejëve në periudhën kohore që ju i referoheni, gjatë Holokaustit respektivisht. Hebrejtë e zënë nga serbët u janë dorëzuar menjëherë nazistëve, gjerësa e kundërta është e vërtetë për Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi. Realisht, Shqipëria është vendi i vetëm në botë që ka pasë më shumë hebrejë pas luftës sesa para saj. Secili hebre që kishte arritur të futej në Shqipëri ishte shpëtuar, dhe ata kanë mundë të arrijnë në Shqipëri kryesisht përmes ndihmës së shqiptarëve të Kosovës të cilët kishin rrezikuar jetën e vetë vetëm e vetëm që të shpëtonin hebrejtë në nevojë. Kjo storje e jashtëzakonshme e orëve më të errëta të histories njerëzore buron nga tradita e vjetër shqiptare, besa.

Tutje, letra juaj sikur harron të theksojë diçka që përmendet në secilin takim apo shkëmbim letrash nga zyrtarët amerikanë me Serbinë: vrasjen brutale të tre qytetarëve amerikanë me prejardhje shqiptare, vëllezërve Bytyçi. Ata u vranë në fund të luftës në Kosovë më 1999. Serbia ende nuk i ka sjellur para drejtësisë kryesit e këtij krimi. Të lihet anash ky fakt është thuajse përpjekje për të fshehur një krim serb ndaj qytetarëve të SHBA-ve. Asnjë Anëtar i Kongresit nuk duhet të lë anash një krim të tillë ndaj shtetasëve amerikanë.

Letra juaj pretendon se Serbia dhe SHBA-të gëzojnë një marrëdhënje të sinqertë në aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes, por kjo nuk qëndron. Realisht, Serbia e konsideron NATO-n agresore dhe historikisht ka shërbyer si dorë e zgjatur e Rusisë për t’u përzier në çështjet e brendëshme të Evropës. Në krejt Evropën, nuk ka aleat më të madh e më lojal të Rusisë sesa Serbia. Ju rikujtoj se është po kjo Serbi që më 2019 bleu sistemin e mbrojtjes raketore ajrore S-400 nga Rusia përkundër kërkesës amerikane që të mos e bënte një gjë të tillë. Është po kjo Serbi që më 2011 i lejoi Rusisë të ndërtonte një bazë ushtarake në Nish, duke i dhënë kështu Rusisë mundësinë të balancojë prezencën ushtarake amerikane në Bondsteel të Kosovës.

Deklaratat tuaja në letër për investimet ekonomike amerikane në Serbi, edhe njëherë dështojnë të tregojnë se këto investime janë shumë më pak të rëndësishme politikisht sesa miliarda dollarë që Serbia ka përfituar nga Kina përmes Iniciativës së Rrugës dhe Rripit (RBI). Realisht, Serbia është përfituesja më e madhe e fondeve kineze të RBI-së, përmes së cilës ka ndertuar shumë projekte infrastrukturore nëpër gjithë vendin. Dihet botërisht se ky projekt financues kinez është një mënyrë përmes së cilës Kina po e rritë influencën e vet politike në disa vende evropiane – influence kjo që sigurisht do të përdoret kundër interesave amerikane në rajon.

Në fund, por jo më pak e rëndësishme – mos të harrojmë se kur ndodhi 11 shtatori, shqiptarët në Kosovë po ndeznin qirinjë për të ndarë dhimbjen me SHBA-të, kurse serbët po festonin e po digjnin flamurin amerikan nëpër rrugët e Beogradit. Anti-amerikanizmi i tyre buron nga vëllazëria e kahmotshme me Rusinë dhe nga fakti që SHBA-të parandaluan Beogradin për të bërë më shumë krime kundër njerëzimit, më shumë krime luftë, e më shumë gjenocid (siç kishte bërë në Bosnje), kur Amerika udhëhoqi fushatën e bombardimeve ajrore kundër Serbisë për t’i dhënë fund luftës në Kosovë. Tutje, secili sondazh kredibil ndërkombëtar tregon se janë shqiptarët populli më pro-amerikan në Evropë, e jo serbët.

Si bashkë-kryesuesë të Gurpit Serb në Kongres, unë e kuptoj se roli juaj është të ndihmoni në lartësimin e marrëdhënjeve në mes SHBA-ve dhe Serbisë. Edhe unë e përkrah idenë e një Serbije vërtetë demokratike, në paqe me fqinjët, dhe të penduar për të kaluarën. Por, ky qëllim fisnik nuk mund të arrihet nëse nuk e flasim të vërtetën e plotë, sepse “vec e vërteta do t’i çlirojë ata”. Nuk kam dyshim se këto të dhëna të shtrembëruara dhe të pasakta ju janë ofruar nga kontaktet tuaja me qeveritarët e Serbisë, të cilët vazhdojnë të mohojnë të kaluarën dhe të injorojnë realitetin. Rrjedhimisht, kërkoj që ju të tërhiqni nënshkrimin tuaj nga letra në fjalë ngase ajo nuk reflekton të vërtetën historike, por portretizon një Serbi që ende nuk ka lindur. 

Përzemërsisht juaji,

Faton Bislimi, PhD

Ish-Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës

Në foto: letra origjinale e dërguar tek bashkë-kryesuesit e Grupit Serb në Kongres. E njejta, por e personalizuar për secilin Kongresist individualisht, u është dërguar edhe 14 kongresistëve të tjerë.

(r.m.)