Uashington, 16 shtatoor 2022 – Bix Aliu (Begzat Azem Aliu) është nominuar nga President Biden për Ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë në Mal të Zi.
Kjo u bë e ditur në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë të premten, më 16 shtator.
Bix Aliu do të zëvendësojë në këtë detyrë ambasadoren aktuale në Podgoricë, Judy Reinzing Reinke, së cilës i skadon mandati.
Aliu është një njohës i mirë i situatës në Mal të Zi dhe në rajon. Ai ka shërbyer edhe më parë në misionin diplomatik të SHBA-së në këtë shtet. Në vitin 2016, ai ka qenë i ngarkuar me punë në Ambasadën Amerikane në Podgoricë.
Më parë, ai ka qenë Konsull i Përgjithshëm në Konsullatën e Përgjithshme të SHBA-së në Krakov të Polonisë, ku është dekoruar me Medaljen ‘Honoris Gratia’, nderimi më i lartë i qytetit, për rolin e tij të rëndësishëm në avancimn e lidhjeve ekonomike dhe kulturore midis Shteteve të Bashkuara dhe Krakovit.
Gjatë karrierës së tij diplomatike, Bix Aliu ka shërbyer në Tiranë, si zyrtar i Diplomacisë Publike, në Qendrën Kombëtare të Trajnimit për Çështjet e Jashtme të Departamentit të Shtetit, si Zëvendës Koordinator Orientimi.
Aliu ka një diplomë të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës, në Kosovë, dhe një diplomë Master të Studimeve Strategjike të Kolegjit të Luftës së Ushtrisë Amerikane në Carlisle, Pensilvani.
Ai është fitues i çmimeve të shumta për performansë nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Përveç gjuhës angleze, flet edhe shqip, serbisht, polonisht dhe maqedonisht
(r.m.)