Tiranë, 31 tetor 2022 – “Kërkojmë punëtorë”. Ky lajmërim, kohëve të fundit, shihet shpesh në dyert e bizneseve në Shqipëri, sidomos në qytetet e mëdha: Tiranë, Durrës, Shkodër etj.
Njoftimet e tilla hasen kryesisht në bare, restorante, por edhe në rrobaqepësi dhe sektorë të tjerë. Kjo, përkundër faktit se papunësia në këtë vend me mbi 2.7 milionë banorë është mbi 11 për qind.
Mungesa e fuqisë punëtore vendase ka kohë që është paralajmëruar nga ekspertët, ndërsa “importimi” i saj nga jashtë duket se nuk ka rezultuar edhe aq i suksesshëm.
Nga Qeveria nuk kanë ndonjë qëndrim zyrtar për këtë çështje, por kanë pranuar se nuk ka studim të tregut e as orientim të studimeve në bazë të nevojave.
Edvin Prençe është kryetar i Shoqatës Proexport Albania, që përfaqëson mbi 740 biznese të sektorit të rrobaqepësisë në Shqipëri, me mbi 70 mijë të punësuar.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se mungesa e fuqisë punëtore është problematika kryesore me të cilën përballet ky sektor.
“Kemi nevojë [edhe] për 25 mijë punëtorë”, thotë ai.
Mungesa e punëtorëve lidhet me një varg ankesash të raportuara – nga pagat deri te kushtet në punë, orari i stërzgjatur dhe mungesa e kontratave.
Sipas të dhënave zyrtare në Shqipëri, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar gjatë tremujorit të parë të vitit 2022 ka qenë 59.242 lekë, apo rreth 508 euro.
Ka sektorë, si rrobaqepësia, ku thuhet se punëtorët paguhen deri në 25.000 lekë, apo rreth 212 euro.
Enri Jahaj, kryetar i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, thotë se këto biznese janë në krizë për punëtorë që një vit e gjysmë.
“Na duhen 5 mijë punonjës dhe nuk po flasim më për stafe të trajnuara, por të papërgatitura, apo emergjente. Kjo situatë krize është e njëjtë si për klubet, baret dhe restorantet. Një pjesë e mirë po e përballon [mungesën] duke punësuar gjithë familjen dhe duke punuar nga 16 orë, por kjo nuk mund të vazhdojë për një kohë të gjatë”, thotë Jahaj për Radion Evropa e Lirë.
Akoma më e vështirë duket se është përballja me këtë problematikë e bizneseve të reja.
Savina Halili është një sipërmarrëse e re në qytetin e Shkodrës. Ajo ka një kompani pastrimi dhe po përpiqet ta ngrejë biznesin e saj. Vështirësia kryesore thotë se është gjetja e punëtorëve.
“Mungesa e fuqisë punëtore është një problematikë që ndjehet kudo në Shkodër. Sigurisht që këtë vështirësi e kam hasur edhe unë në kaq kohë sa kam ngritur biznesin tim – prej shkurtit të këtij viti. Aktualisht, pranë kompanisë sime po kryejnë praktikën 5 të rinj indianë, të cilët ndodhen në Shkodër me vizë studentore. Do të doja t’i punësoja pas përfundimit të studimeve, pasi e kryejnë shumë mirë punën”, thotë Halili.
Nga Nepali, Bangladeshi, Shri Lanka… në Shqipëri
Disa biznese kanë marrë punëtorë nga jashtë Shqipërisë dhe vazhdojnë ende të kërkojnë.
“Ne, si shoqatë, kemi kontaktuar direkt me ministritë përkatëse në shtete si: Nepali, Filipinet, Shri Lanka, për të bërë një filtrim të punonjësve që duam t’i marrim, për të mos u përballur me problematika, si largimi i tyre”, thotë Prençe.
Sipas tij, nisma për punëtorë nga Bangladeshi nuk ka pasur sukses.
“Kanë ikur pak ditë pasi kanë ardhur në Shqipëri dhe ne kemi menduar se e zgjodhëm problemin. Për këtë arsye, ne po kërkojmë që kontaktet me shtetet që përmenda, të bëhen direkt me institucionet dhe jo përmes kompanive. Po kërkojmë punonjëse gra, pasi rreziku për largim në mënyrë ilegale, do të ishte më i ulët”, sipas Prençes.
“Gjithashtu i kemi kërkuar Qeverisë liberalizim të vizave me këto shtete. Do të përshpejtonte ardhjen e këtyre punëtorëve, sepse aktualisht pajisja me dokumente kërkon rreth 120 ditë pritje”, thotë Prençe.
Edhe Jahaj, nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve, ngre shqetësim të ngjashëm.
“Ka disa raste në këtë sektor që këta punonjës vijnë me dy pasaporta, njërën e paraqesin te punëdhënësi, tjetrën e përdorin për të ikur drejt BE-së. Të dytën e sigurojnë në lloj-lloj mënyrash, e deklarojnë të humbur, apo të vjedhur pasaportën e parë dhe pajisen sërish me këtë dokument. Neve na duhet garanci që do ta kemi për një kohë të gjatë këtë fuqi punëtore të importuar”, thotë Jahaj.
Ai tregon se shumë punonjës nga Bangladeshi apo Filipinet kanë ikur, pa ardhur mirë, sipas tij.
“Para pak ditësh, një biznesmen i këtij sektori më tregoi se kishte punësuar 15 persona nga Bangladeshi. Punuan dhjetë ditë dhe ikën. Biznesi dëmtohet shumë, sepse ka paguar kompaninë e punësimit, ka paguar për strehimin e tyre dhe ngelet prapë pa punonjës”, thotë Jahaj.
Ka pasur disa herë raporte, edhe nga Bashkimi Evropian, se shtetet e Ballkanit Perëndimor shërbejnë shpesh si rrugë transit drejt BE-së për migrantët e paligjshëm.
Bizneset kërkojnë punëtorë – papunësia në Shqipëri 11 %
Eksperti i punësimit në Shqipëri, Erion Muça, sugjeron që kjo situatë – kur biznesi vuan për punëtorë, ndërkohë që ka mijëra vende të lira pune dhe mijëra të papunë – duhet të shihet në një aspekt më të gjerë.
“Papunësia në Shqipëri sipas INSTAT-it [Instituti i Statistikave] është 11%, që përllogaritet në 162 mijë të papunë, ndërkohë që ka 350-400 mijë vende të lira pune. Por, ato nuk përshtaten me kërkesat e tregut të punës”.
“Emigrimi ka një rol të madh, krijohet një boshllëk, që duhet të shërbejë si mësim për punëdhënësit për të parë me më shumë seriozitet motivimin e punonjësve, ku çdo kërkesë për punë të shoqërohet me avantazhe konkurruese, se çfarë ofron ndryshe apo më shumë. Pagat e ulëta, kushtet e punës dhe mosrespektimi i kontratave janë faktorë të lidhur zinxhir”, thotë Muça.
Nëse një punëdhënës ofron një pagë shumë të ulët, ndërsa fitimi i tij është shumë i lartë, kjo situatë tregon mungesë standardesh dhe mentaliteti në menaxhim, shton ai.
“Në 90% të rasteve tregon mungesë solidariteti kundrejt punonjësve, të cilët i sheh si leva në përmbushje të qëllimeve të fitimit”, thekson Muça.
Kreu i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Jahaj, thotë po ashtu se kjo krizë vjen edhe për faj të punëdhënësve.
“Investitorët duhet të mendojnë për kushte dhe paga më të kënaqshme, pasi në nivelin aktual nuk janë tërheqës”, thotë ai, duke kërkuar edhe nga institucionet shtetërore që të marrin masa për ta zbutur apo zgjidhur këtë problem.
Jahaj sugjeron krijimin e akademive të mirëfillta dhe investim në arsimin profesional.
Instituti i Statistikave i Shqipërisë, INSTAT, në anketën e fundit për forcën e punës në këtë vend, thekson se gjatë tremujorit të dytë të vitit 2022, 10.5 % e popullsisë në grup-moshën 15-64 vjeç deklaruan se nuk po kërkonin punë, pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme – pra, klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Kjo edhe mund ta shpjegojë faktin se përse ka vende të lira të punës.
Të dhënat e INSTAT-it, po ashtu, tregojnë se në janar të vitit 2022, popullsia e Shqipërisë ka rënë për 1.3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Një ndër faktorët kryesorë thuhet të jetë emigrimi.
Në një tjetër raport të INSTAT-it theksohet se në fund të vitit 2021, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri ka qenë 14.921, apo 9.6 % më i lartë se në vitin 2020.
Të huajt rezidentë me origjinë nga Irani, Italia dhe Kosova përbënin numrin më madh të të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri në vitin 2021.
Punësimi, arsyeja kryesore e qëndrimit të të huajve në Shqipëri
Mbi 47% e lejeve të qëndrimit të të huajve në Shqipëri në vitin 2021 lidheshin me punësimin.
Faktin se punësimi është ndër arsyet kryesore të shtimit të numrit të të huajve në Shqipëri e vërtetojnë edhe të dhënat e Agjencisë së Punësimit dhe Aftësive në këtë vend.
Për vitin 2021, rezulton se 5.034 shtetas të huaj – ose 1.693 më shumë se një vit më parë – janë pajisur me leje pune dhe vërtetime deklarimi për punësim. Ky është edhe numri më i lartë në pesë vjetët e fundit.
Pjesa më e madhe e këtyre lejeve dhe vërtetimeve – rreth 43% – janë në rajonin e Tiranës, 13% në rajonin e Lezhës dhe 13% në rajonin e Durrësit.
Cilët janë sektorët në Shqipëri që “importojnë” fuqi punëtore?
Sipas të dhënave të Agjencisë së Punësimit dhe Aftësive në Shqipëri, sektorët kryesorë që importojnë fuqinë punëtore, janë: industria përpunuese, ndërtimi, bujqësia dhe peshkimi, si dhe grupimi “arte, zbavitje, çlodhje”.
Sa i përket shtetësisë, për vitin 2021, pjesa më e madhe janë turq, më pas vijnë egjiptianët, filipinezët, indianët, kinezët etj.
Një vit më parë, autoritetet kanë fuqizuar ndryshimet në Ligjin për të huajt, që lehtësuan marrjen e lejes së punës në Shqipëri, përkatësisht me lejen e qëndrimit, ata marrin edhe lejen e punës.
Të huajt që duan të pajisjen me këtë leje në Shqipëri mund të aplikojnë online në portalin e-Albania.
Sipas ligjit, aplikuesi, përveç kërkesës në gjuhën shqipe, duhet të dorëzojë online dokumente të përkthyera në gjuhën shqipe dhe të njësuara me origjinalin nga noteri, të tilla si: kontrata e punës, kualifikimet profesionale, prokurën nga i huaji apo punëdhënësi, si dhe kërkesën e paraqitur në institucionet përkatëse për t’u siguruar në skemat e detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Nëse dokumentacioni është i plotë, shtetasi i huaj pajiset me leje pune brenda dhjetë ditësh. E njëjta procedurë ndiqet edhe në rastin e shqyrtimit të dokumentacionit për ripërtëritjen e lejes së punës.
(Jetmira Delia-Kaci, REL)