Minsk, 29 dhjetor 2022 – Agjencia shtetërore bjelloruse e lajmeve ‘BelTA’ njoftoi se një raketë ukrainase S-300 ra të enjten në territorin e Bjellorusisë. Ky zhvillim vjen ndërsa Moska ndërmori një prej sulmeve më të mëdha me raketa ndaj Ukrainës që prej fillimit të luftës.
Autoritetet në Minsk po hetojnë nëse ishin sistemet e mbrojtjes ajrore të Bjellorusisë që e kishin rrëzuar raketën dhe nëse ajo kishte lëshuar gabimisht.
Incidenti ndodhi mes orës 10 dhe 11 të mëngjesit, kohë gjatë së cilës Rusia po hidhte raketa drejt Ukrainës.
‘BelTA’ njoftoi se raketa që ra në Bjellorusi kishte ardhur nga territori ukrainas. Ajo publikoi një foto të atyre që tha se ishin pjesë të një rakete S-300, që kishin rënë në një fushë të zbrazët bujqësore.
‘BelTA’ bëri të ditur se nuk kishte informacion për viktima.
S-300-at janë raketa të mbrojtjes ajrore të epokës sovjetike që përdoren nga Rusia dhe Ukraina. Në nëntor, një raketë S-300, që besohet se ishte gjuajtur nga mbrojtja ajrore ukrainase, ra në Poloni.
Rusia duket se ka përdorur raketa S-300 të modifikuara për të sulmuar objektiva tokësorë, tregues sipas analistëve ushtarakë se rezervat e saj në raketa po pakësohen.
Bjellorusia e lejoi Moskën të përdorte territorin e saj si pikënisje për sulmin ndaj Ukrainës më 24 shkurt, por Misku këmbëngul se nuk po merr pjesë në luftë, dhe se nuk ka në plan ta bëjë këtë gjë në të ardhmen.
(Zëri i Amerikës)