Blakaj: Serbia duhet të dëmshpërblejë familjet e personave të zhdukur në Kosovë

Prishtinë, 14 prill 2023 – Me propozim të Presidentes Vjosa Osmani, Qeveria e Kosovës e ka shpallur 14 prillin Ditë të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Bekim Blakaj, drejtori i Qendrës për të Drejtën Humanitare, e ka përshëndetur këtë vendim. Ai ka thënë se dhuna seksuale në Kosovë është përdor si mjet lufte.

“Komuniteti i viktimave të kësaj kategorie është shumë i madh, është folur për 20 mijë dhe ky numër nuk është konfirmuar zyrtarisht, por gjithsesi është shumë i madh. Dhuna është përdor si mjet lufte në Kosovë gjatë luftës 1998-1999. Kjo është për t’u përshëndetur”, ka thënë ai për ABC News

Blakaj ka thënë se Kosova dhe Serbia janë pajtuar të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët për personat e zhdukur gjatë luftës, por ende nuk dihet se cila është përmbajtja e saj.

Ai ka thënë se Serbia do duhej të kompensonte familjet e personave të zhdukur me dhunë, siç rregullohet me Konventën për Mbrojtjen e Personave nga Zhdukje e Dhunshme.

“Është dakordësuar marrëveshja, e cila ende nuk është nënshkruar. Palët janë zotuar për të nënshkruar një deklaratë të përbashkët për personat e zhdukur. Edhe po që se nënshkruhet nuk e di se si do zbatohet apo a do të zbatohet dhe si do të zbatohet. Sipas Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Personave nga Zhdukje e Dhunshme, familjet e prrsonave të zhdukur do të duhej të kompensohen nga shteti që ka kryer zhdukje të dhunshme.  Kjo mbetet për t’u parë nëse do të ketë reference në deklaratë”, ka thënë Blakaj.

(r.m.)