Uashington, 8 mars 2024 – Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të premten se është në dorë të Hamasit të bjerë dakord për arritjen e një armëpushimi që do të lejonte futjen e një sasie më të madhe të ndihmave humanitare në Gazë dhe t’i hapte rrugë bisedimeve për një “zgjidhje të qëndrueshme” konfliktit.
Izraeli dhe Hamasi fajësojnë njëri-tjetrin për mospajtimin rreth një marrëveshjeje e cila do të kërkonte nga grupi militant të lirojë disa nga pengjet që ende i mban në këmbim të një armëpushimi 40 ditësh. Të burgosurit palestinezë në Izrael po ashtu do të liroheshin.
Para takimit me Ministrin e jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan, Sekretari Blinken ende po nxiste palët për arritjen e një armëpushimi.
“Çështja është Hamasi. Çështja është a do të vendosë Hamasi që të ketë apo jo armëpushim për të mirën e të gjithëve,” deklaroi zoti Blinken.
“Topi është në fushën e tyre. Ne po punojmë me intensitet dhe do të shohim se çfarë do të bëjnë ata.”
Autoritetet shëndetësore në Gazë thonë se mbi 30,000 palestinezë janë vrarë që kur Izraeli e filloi fushatën ushtarake si kundërpërgjigje ndaj sulmit të Hamasit më 7 tetor në pjesën jugore të Izraelit, gjatë të cilit Izraeli thotë se u vranë 1,200 njerëz dhe u rrëmbyen 253 të tjerë.
(Zëri i Amerikës)