Bruksel, 6 prill 2022 – Sekretari i Shtetit Antony Blinken ndodhet në Bruksel, për të marrë pjesë në takimet e ministrave të jashtëm të NATO-s dhe G7.
Sekretari Blinken po thekson rolin thelbësor të NATO-s në ruajtjen e sigurisë transatlantike. Në takimet me homologët e tij, ai e vuri theksin tek nevoja për vazhdimin e përpjekjeve të përbashkëta për të vendosur Rusinë përpara përgjegjësisë, e për t’i dhënë fund luftës së saj shkatërruese në Ukrainë dhe për të ofruar mbështetje për Ukrainën.
Të martën Shtetet e Bashkuara njoftuan një ndihmë të re ushtarake prej 100 milionë dollarësh për Kievin.
Pak përpara se të nisej drejt Brukselit, zoti Blinken tha për gazetarët se aktet mizore të Rusisë në Buça ishin një fushatë e qëllimshme, për të vrarë, torturuar, e përdhunuar. Uashingtoni thotë se ka prova të besueshme se pas tyre qëndron Moska.
“Kjo përforcon vendosmërinë tonë e të vendeve anembanë botës për t’u siguruar që në një mënyrë a një tjetër, sot ose nesër, ata që kryen këto akte apo ata që i urdhëruan ato, të mbahen përgjegjës. Ekziston gjithashtu një vendosmëri e madhe për t’u siguruar që ne po bëjmë gjithçka që mundemi që të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën dhe luftën e saj të guximshme për të ndalur agresionin rus”.
Zoti Blinken tha se SHBA-të dhe aleatët e saj po punojnë për të bërë bashkë provat e për të mbështetur përpjekjet e prokurorit të përgjithshëm të Ukrainës dhe hetimet e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Ngjarjet në Buça kanë detyruar vendet perëndimore të shqyrtojnë mundësinë për sanksione të reja e më të ashpra ndaj Moskës. Sot Shtetet e Bashkuara dhe vendet e saj aleate pritet të shpallin një raund të ri sanksionesh që sikurse u njoftua do të ndalojnë të gjitha investimet e reja në Rusi, do të forcojnë kufizimet ndaj institucioneve financiare dhe ndërmarrjeve shtetërore në Rusi, si dhe do të godasin zyrtarë të qeverisë ruse e familjarë të tyre.
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se sanksionet e reja do të ndërmerren në bllok si një akt për të demonstruar vendosmërinë dhe unitetin që ekziston mes vendeve Perëndimore për t’i vendosur kosto të pashembullta Rusisë lidhur me luftën në Ukrainë.
“Objektivi ynë kryesor është që të shterojmë burimet që ka Putini për të vazhduar luftën kundër Ukrainës duke shkaktuar më shumë pasiguri dhe sfida në sistemin financiar rus”, tha ajo.
Lufta dhe sanksionet perëndimore të vendosura si përgjigje ndaj saj vazhdojnë të godasin ekonominë ruse dhe ekspertët parashikojnë një tkurrje të saj deri në 15%.
Po dje Departamenti amerikan i Thesarit vendosi sanksione ndaj “Hidra Market”, platforma më e madhe e tregtisë së zezë e të paligjshme në botë, me bazë në Rusi. Moska thotë se po kryen “një operacion special ushtarak” në Ukrainë që synon shkatërrimin e kapaciteve ushtarake të këtij vendi dhe “largimin e nazistëve” nga pushteti, siç shprehet ajo. Por Ukraina dhe Perëndimi, e kanë kundërshtuar qëndrimin e Kremlinit, duke e akuzuar Moskën për një sulm të paprovokuar ndaj vendit fqinj, bazuar në një pretekst fals.
(Zëri i Amerikës)