Bruksel, 7 prill 2022 – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të enjten se Uashingtoni nuk do të lejojë asgjë që të pengojë dërgimin në Ukrainë të armëve që asaj i nevojiten për të luftuar kundër Rusisë.
Duke folur me gazetarët në NATO pas një takimi të ministrave të jashtëm, Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë se çfarë armësh të reja mund të dërgojnë në Ukrainë. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara po ruajnë dhe po shtojnë presionin ndaj Kremlinit.
Vendet anëtare të NATO-s ranë dakord të forcojnë mbështetjen për Ukrainën dhe po ofrojnë një gamë të gjerë sisteme armësh, tha të enjten Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas takimit të ministrave të jashtëm të aleancës.
Zoti Stoltenberg u tha gazetarëve se anëtarët e NATO-s ranë gjithashtu dakord të bëjnë më shumë për të ndihmuar partnerët e tjerë dhe për të forcuar aftësinë e tyre mbrojtëse, përfshirë Gjeorgjinë dhe Bosnjën dhe Hercegovinën.
Ndërkohë, udhëheqësit ukrainas po u bëjnë thirrje banorëve të rajoneve lindore, ku ndodhet zemra industriale e vendit, të largohen tani, sa e kanë ende këtë mundësi, ndërsa forcat ruse, që janë larguar nga periferitë e Kievit, po riorganizohen për të filluar ofensivën në rajonet lindore të Ukrainës.
(Zëri i Amerikës)