Blinken dhe Lavrov do të bisedojnë për krizën në Ukrainë

Uashington, 1 shkurt 2022 – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, të martën do të bisedojnë për krizën në Ukrainën.

Kjo bisedë telefonike midis dy kryediplomatëve vjen në kohën e rritjes së shqetësimeve, pasi Rusia ka grumbulluar mbi 100,000 trupa në afërsi të kufirit me Ukrainën, që po shihet si përgatitje për një pushtim të mundshëm.

Bisedimet midis Blinkenit dhe Lavrovit janë bisedimet e para direkte të diplomatëve, që prej se Uashingtoni dërgoi përgjigje të shkruar javën e kaluar për kërkesat e sigurisë së Rusisë.

Para bisedimeve, Ambasada e Rusisë në Uashington tha më 1 shkurt se Moska nuk do të tërhiqet para kërcënimeve amerikane për sanksione.

“Ne nuk do të zmbrapsemi dhe qëndrojmë të vëmendshëm, duke dëgjuar kërcënimet e sanksioneve amerikane”, tha ambasada përmes një postimi në Facebook, duke shtuar se është “Uashingtoni, dhe jo Moska, që po gjeneron tensione”.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, po ashtu pritet të udhëtojë për në Kiev më 1 shkurt për bisedime me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy.

“Si një mike dhe partnere demokratike, Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të mbrojë sovranitetin e Ukrainës në dritë të përpjekjeve të atyre që tentojnë ta shkatërrojnë atë”, tha Johnson përmes një deklarate.

Kryeministri britanik po ashtu pritet të flasë me presidentin rus, Vladimir Putin para se të niset drejt Ukrainës. Në deklaratën e lëshuar ai edhe një herë i bëri thirrje Rusisë të angazhohet në dialog, që të gjendet një zgjidhje diplomatike.

Rusia mohon se po planifikon që ta sulmojë Ukrainën.

(REL)