Jerusalem, 22 etor 2024 – Sekretari i Shtetit, Antony Blinken u takua në Izrael me Kryeministrin Benjamin Netanyahu ndërsa Uashingtoni rifilloi përpjekjet për armëpushim, pas vrasjes së udhëheqësit të Hamasit, Yahya Sinwar. Vizita e Sekretarit Blinken vjen vetëm disa orë pasi Izraeli dhe grupi militant libanez Hezbollah kanë vazhduar të kryejnë sulme ajrore ndaj njëri tjetrit. Uashingtoni, së bashku me vendet arabe në rajon, kanë bërë përpjekje për muaj të tërë për arritjen e një armëpushimi, por asnjëra palë nuk duket e gatshme të tërhiqet nga kushtet e tyre. Izraeli gjithashtu pritet të sulmojë Iranin si kundërpërgjigje ndaj sulmit iranian me raketa më 1 tetor.
Gjatë takimit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të martën, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i bëri thirrje Izraelit që të përfitojë nga kushtet e krijuara nga vdekja e udhëheqësit të Hamasit Yahya Sinwar për të siguruar lirimin e pengjeve, njoftoi Departamenti i Shtetit. Sipas njoftimit, Sekretari Blinken i tha Kryeministrit Netanyahu se tani është krijuar mundësia për t’i dhënë fund konfliktit në Gazë.
Zoti Blinken theksoi gjithashtu nevojën që Izraeli të rrisë ndihmat humanitare që lejohen të hyjnë në Gazë, shtoi më tej njoftimi i departamentitt pas takimit në Jerusalem.
Sekretari Blinken pritet të takohet edhe me Ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Gallant dhe zyrtarë të tjerë në fillim të një udhëtimi njëjavor gjatë të cilit ai do të shkojë edhe në Jordani dhe Katar.
Ai arriti në Izrael të martën në përpjekjen e parë të Shteteve të Bashkuara për të arritur një armëpushim në Lindjen e Mesme që kur Izraeli vrau udhëheqësin e Hamasit javën e kaluar.
Sekretari Blinken po kërkonte gjithashtu mënyra për të zbutur një konflikt të përshkallëzuar mes Izraelit dhe grupit militant Hezbollah të mbështetur nga Irani në Liban, ku gjatë natës u vranë të paktën 18 njerëz, përfshirë katër fëmijë dhe 60 të plagosur nga një sulm ajror izraelit pranë spitalit kryesor shtetëror të Bejrutit.
Përpjekjet diplomatike deri më tani kanë dështuar për t’i dhënë fund si luftës njëvjeçare në territorin e Gazës, ashtu edhe konfliktit midis Izraelit dhe grupit të armatosur libanez Hezbollah.
Në një deklaratë të lëshuar nga zyra e Kryeministrit izraelit Netanyahu thuhej se eliminimi i Sinwarit javën e kaluar “mund të ketë ndikim pozitiv në kthimin e pengjeve, arritjen e të gjitha synimeve të luftës dhe asaj që duhet të ndodhë pas përfundimit të luftës”.
Asnjëra prej deklaratave nuk e përmend arritjen e një armëpushimi të mundshëm pas një viti lufte, në të cilën aftësitë ushtarake të Hamasit janë degraduar shumë dhe Rripi i Gazës është kthyer në gërmadha.
Aleatët perëndimorë të Izraelit e shohin vrasjen e Sinwarit si një mundësi për të krijuar argumentin që i duhet qeverisë së djathtë të Kryeministrit Netanyahu për të pohuar se objektivat e luftës janë arritur në Gazë.
Por Izraeli është zotuar se nuk do të ndalojë së luftuari derisa grupi militant islamik palestinez të jetë shkatërruar plotësisht si një forcë ushtarake dhe entitet qeverisës në Gazë.
Nga ana e tij, grupi militant Hamas që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste, ka refuzuar të lirojë shumë pengje të kapur në sulmin e tij të 7 tetorit vitin e kaluar pa një zotim izraelit për t’i dhënë fund luftës dhe për t’u tërhequr nga territori.
Departamenti i Shtetit tha se Sekretari Blinken dhe Kryeministri Netanyahu diskutuan gjithashtu mënyrat e zbatimit të një rezolute të vitit 2006 të OKB-së të miratuar pas luftës së fundit Izrael-Hezbollah që do të rivendoste sigurinë dhe qetësinë përgjatë kufirit izraelito-libanez dhe do të lejonte civilët nga të dyja palët të ktheheshin në shtëpitë e tyre.
Por ndërsa Sekretari Blinken takohet me drejtuesit e Izraelit, grupi Hezbollah përjashtoi mundësinë e negociatave ndërsa luftimet vazhdojnë me Izraelin.
Në deklaratën e tij, Kryeministri Netanyahu gjithashtu tha se kishte nevojë për një ndryshim në situatën e sigurisë dhe situatën politike në Liban që do t’i lejonte izraelitët të kthehen të sigurt në shtëpitë e tyre prej nga u detyruan të ikin si pasojë e sulmeve me raketa nga grupi Hezbollah.
Hezbollahu njoftoi kryerjen e dhjetëra sulmeve kundër objektivave izraelite të martën, përfshirë ato që tha se ishin objekte ushtarake izraelite pranë Haifës dhe Tel Avivit.
Izraeli deri më tani nuk ka treguar asnjë shenjë se synon të heqë tdorë nga ofensivat e tij ushtarake në Gazë dhe Liban edhe pas vrasjes së disa drejtuesve të Hamasit dhe Hezbollahut.
Diplomatët thonë se Izraeli synon të forcojë pozitat e tij përpara se një administratë e re amerikane të marrë mandatin pas zgjedhjeve të 5 nëntorit midis Nënpresidentes Kamala Harris dhe ish-presidentit Donald Trump.
(Zëri i Amerikës)