Berlin, 15 maj 2022 – Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, u takua me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Berlin, më 15 maj.
Blinken tha se “më shumë armë dhe ndihmë tjetër është nisur nga Shtetet e Bashkuara drejt Ukrainës”.
Kuleba pritet të informojë ministrat e Jashtëm të NATO-s gjatë takimit në Berlin lidhur me situatën në Ukrainë dhe se si aleanca ushtarake mund ta ndihmojë më tej shtetin e tij i cili po lufton me forcat ruse, qëkur Moska nisi pushtimin më 24 shkurt.
“Ne u pajtuam të punojmë së bashku që të sigurohemi se eksportet ukrainase të arrijnë te konsumatorët në Afrikë dhe Azi. Mirënjohës ndaj sekretarit Blinken dhe SHBA-së për lidershin dhe mbështetjen e palëkundur”, shkroi Kuleba në Twitter.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se Blinken dhe Kuleba kanë biseduar për ndikimin e pushtimit rus, përfshirë edhe për sigurinë ushqimore të botës.
“Sekretari i ofroi detaje lidhur me ndihmën e fundit amerikane të sigurisë që ka për qëllim të rrisë mbrojtjen e Ukrainës”, tha Price.
Më 11 maj, Dhoma e Përfaqësuesve ka miratuar një pako të re të ndihmës amerikane për Ukrainën. Pakoja e re, që është në vlerë prej 40 miliardë dollarësh, është e përqendruar në ndihmë të ushtrisë ukrainase dhe ekonomisë së këtij shteti.
(REL)