Uashington, 2 prill 2021 – Sekretari amerikan i Shtetit i SHBA Antony Blinken i bëri thirrje Bosnjes të përpiqet për ndryshime të kufizuara në kushtetutën e saj që do të ishin të nevojshme për reformimin e sistemit zgjedhor dhe për mbrojtjen e drejtave të të gjithë qytetarëve.
Në një letër drejtuar të enjten presidencës tre-anëtarëshe ndëretnike të vendit, zoti Blinken e bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do të ushtronin presion për një rishikim radikal të marrëveshjes së paqes që ndihmoi për t’i dhënë fund me bisedime luftës së Bosnjes në vitet 1990.
“Ne kemi parë se disa përpjekje të mëparshme për reforma kanë dështuar në Bosnjë dhe Herzegovinë … me dëshirën për të bërë shumë gjëra në një kohë të shkurtër,” shkruante zoti Blinken në letrën e botuar nga portali i lajmeve Sarajevo Klix.
Shtetet e Bashkuara ishin forca kryesore që sollën në një tryezë serbët, kroatët dhe boshnjakët, të cilët ishin në luftë, për të biseduar në një bazë të Forcave Ajrore amerikane në Dejton të Ohajos. Gjatë luftës së viteve 1992-1995, rreth 100,000 njerëz humbën jetën dhe rreth 2 milion u zhvendosën nga shtëpitë e tyre.
Kushtetuta e Bosnjës është pjesë e marrëveshjeve të paqes të Dejtonit që i dha fund luftës, por ka rezultuar e pamjaftueshme për ta çuar vendin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Sipas marrëveshjes, vetëm serbët, kroatët dhe boshnjakët, të konsideruar si populli përbërës i Bosnjës, mund të kandidojnë për poste të larta në zgjedhje. Pakicat, si romët ose hebrenjtë, nuk kanë të drejtë të kandidojnë për anëtarë të presidencës.
“Ndryshimet e kufizuara kushtetues do të jenë të nevojshme për të reformuar sistemin zgjedhor në përputhje me kërkesën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe me vendimet e gjykatave evropiane,” shkruante zoti Blinken në letër.
Ai i referohej vendimit të vitit 2009 nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut që urdhëronte Bosnjën të ndryshonte kushtetutën për të lejuar anëtarët e grupeve të pakicave të kandidonin për poste të larta qeveritare, një vendim që nuk është zbatuar asnjëherë.
Letra është mesazhi i parë për Bosnjen nga administrata e Presidentit Biden, i cili gjatë luftës së Bosnjes bënte thirrje për heqjen e embargos së armëve të vendosur ndaj boshnjakëve dhe paralajmëronte për rrezikun e gjenocidit në Srebrenicë.
Shumë boshnjakë kanë shpresuar që administrata Biden të angazhohet më shumë në Bosnjë, ku përçarjet etnike kanë bllokuar përparimin e vendit për vite me rradhë.
(Zëri i Amerikës)