Uashington, 3 prill 2023 – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i ka telefonuar homologut të tij rus, Sergei Lavrov, të cilit i ka kërkuar lirimin e gazetarit të arrestuar të Wall Street Journal, Evan Gershkovich.
Gazetari Gershkovich u arrestua të premten me akuzën për spiunazh. Gazeta Wall Street Journal i ka mohuar këto akuza.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se Blinkeni përcolli “shqetësim të madh për ndalimin e papranueshëm të një gazetari amerikan” nga Rusia.
Blinkeni ka kërkuar edhe lirimin e shtetasve të tjerë amerikanë të arrestuar në Rusi, duke përfshirë ish-marinsin amerikan, Paul Whelan, i cili gjithashtu mbahet nën akuzat për spiunazh për më shumë se pesë vjet.
Ministria e Jashtme e ruse konfirmoi se, në një telefonatë që u iniciua nga SHBA-ja, Blinken dhe Lavrov kanë diskutuar tëdielën për arrestimin e gazetarit amerikan.
Ai ka thënë se SHBA-ja nuk duhet ta politizojë rastin e arrestimit të gazetarit dhe ka përsëritur pretendimet se Gershkovich “u kap në flagrancë gjatë përpjekjeve që të merrte informacion të klasifikuar” dhe se çështja e tij do të trajtohet nga gjykatat ruse.
Evan Gershkovich, 31 vjeç, është korrespondent i Wall Street Journal në Moskë. Ai u arrestua nga Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB), për “aktivitetet e paligjshme”. Sipas FSB-së, ai është arrestuar “derisa ishte duke vepruar sipas udhëzimeve të SHBA-së”.
Gershkovich është gazetari i parë i një mediumi amerikan që arrestohet me akuza për spiunazh në Rusi që nga Lufta e Ftohtë. Arrestimi i tij vjen mes tensioneve të shtuara midis Moskës dhe Uashingtonit shkaku i luftës në Ukrainë.
Spiunazhi në Rusi mund të dënohet deri në 20 vjetë burgim.
(r.m.)