Uashington, 22 maj 2024 – Sekretari i Shtetit, Antony Blinken u tha ligjvënësve të martën se kërkesa e kryeprokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për urdhër arresti për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu vështirëson mundësitë për një armëpushim në Gazë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, dëshmia e zotit Blinken vjen ndërsa një pjesë e ligjvënësve të Partisë Demokrate po kritikojnë administratën e Presidentit Biden në lidhje me përkrahjen për Izraelin.
Njoftimi i Kryeprokurorit të Gjykatës Ndërkombëtare Penale se ka kërkuar urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe udhëheqësin e Hamasit, Yahya Sinwar nën akuzat për krime lufte, nxiti kritika dypartiake në Kongres, të martën.
“Ky është një hap në drejtimin e gabuar që do ta vështirësonte arritjen e armëpushimit. Gjithmonë ka pasur një mirëkuptim që Gjykata Ndërkombëtare Penale merret me vendet që nuk kanë një gjyqësor të pavarur. Izraeli ka një gjyqësor të pavarur”, tha Ben Cardin, Kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.
Sekretari Antony Blinken tha se kërkesa për urdhër arrestet ndërlikon negociatat për një armëpushim në konfliktin që filloi më 7 tetor, kur Hamasi sulmoi Izraelin, duke vrarë më shumë se 1200 njerëz dhe duke marrë rreth 250 pengje.
“Trajtimi i ngjashëm, që nënkuptohet nga njoftimi për urdhër arreste, mes Hamasit dhe udhëheqjes së Izraelit, e ndërlikon arritjen e një armëpushimi. Ne do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje për këtë. Megjithatë ky vendim, në shumë nivele, është krejtësisht i gabuar”, tha Sekretari Blinken.
Ligjvënësit e tjerë e minimizuan rëndësinë e kërkesës.
“Rekomandim i një prokurori po merr më shumë vëmendje se sa duhet”, tha senatori demokrat Tim Kaine.
Dëshmia e zotit Blinken u ndërpre nga protestuesit, që sërish nxori në pah mosmarrëveshjet e brendshme për mbështetjen amerikane për Izraelin.
Më shumë se 35,000 palestinezë, civilë dhe luftëtarë, kanë vdekur në konflikt, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë që drejtohet nga Hamasi. Një raport i fundit i Departamentit të Shtetit thotë se Izraeli ka të ngjarë të ketë shkelur standardet ndërkombëtare për parandalimin e dëmtimit të civilëve. Uashingtoni, megjithatë nuk e ka ndërprerë ndihmën për Izraelin.
“Ne jemi duke hetuar një sërë rastesh, disa prej të cilave janë përmendur në raport. Vetë Izraeli po heton qindra incidente të tjera. Megjithatë është shumë e vështirë të sigurojmë rezultate përfundimtare në mes të luftës, pa patur qasje në terren”, thotë z. Blinken.
Disa demokratë e paralajmëruan zotin Blinken se bota po shikon me vëmendje.
“Ajo që është e dukshme për këdo, nga 7 tetori deri më sot, qeveria e Netanyahut ka dështuar të zbatojë normat ndërkombëtare që kërkojnë lehtësimin dhe mos kufizimin ose refuzimin arbitrar të dhënies së ndihmave humanitare për njerëzit në nevojë. Zoti Sekretar, kjo dëmton besueshmërinë tonë në mbarë botën”, tha senatori demokrat Chris Van Hollen.
Ndërkaq, zyrtari kryesor republikan në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Jim Risch, tha se Shtetet e Bashkuara nuk po bënin sa duhet për të mbështetur Izraelin.
“Administrata po imponon gjëra që po i kushtojnë Izraelit. Lejoni Izraelin të largojë Hamasin nga Gaza. Kjo është mënyra e vetme për të ecur përpara”, tha zoti Risch.
Kombet e Bashkuara njoftuan të martën se nuk ishin më në gjendje të kryenin operacionet e shpërndarjes së ndihma në Rafah. Sekretari Blinken u tha ligjvënësve se Shtetet e Bashkuara e kanë paralajmëruar Izraelin se një ndërhyrje në shkallë të gjerë në Rafah mund të shkaktojë dëme të mëdha te civilët.
(Zëri i Amerikës)