Kairo, 6 shkurt 2024 – Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken po vazhdon të martën një turne diplomatik në Lindjen e Mesme, me takime me udhëheqësit egjiptianë, pjesë e përpjekjeve për të arritur një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, në këmbim të lirimit të pengjeve.
Vizita në rajon e zotit Blinken vjen mes shqetësimeve në rritje në Egjipt, mbi synimet e deklaruara të Izraelit, për të zgjeruar luftimet në Gazë edhe në zonat në kufi me Egjiptin, të cilat janë të mbushura me palestinezë të zhvendosur.
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit ka thënë se ofensiva do të shtrihet edhe në Rafah, në qytetin në kufi me Egjiptin, ku ndodhen më shumë se gjysma e 2.3 milionë banorëve të Gazës, që janë vendosur aty për t’i shpëtuar luftimeve. Ata jetojnë aty në kushte gjithnjë e më të mjerueshme.
Monitoruesit humanitarë të OKB-së thanë të martën se urdhrat e evakuimit të dhëna nga Izraeli përfshijnë tashmë dy të tretat e territorit të Gazës, gjë që ka bërë që me mijëra njerëz të shkojnë çdo ditë drejt zonave kufitare.
Egjipti ka paralajmëruar se një shtrirje e operacioneve izraelite përgjatë kufirit do të kërcënonte traktatin e paqes që dy vendet kanë nënshkruar mbi katër dekada më parë. Egjipti druhet se një zgjerim i luftimeve në zonën e Rafahut, mund t’i detyrojë civilët palestinezë të tmerruar që të takojnë kufirit, një skenar që Egjipti ka thënë se është i vendosur ta parandalojë.
Zoti Blinken, i cili u takua të martën me presidentin egjiptian Abdel-Fattah el-Sissi në Kajro, ka thënë vazhdimisht se palestinezët nuk duhet të detyrohen të largohen nga Gaza.
Sekretari amerikan i shtetit synon ta shfrytëzojë këtë turne të ri në Lindjen e Mesme për të shënuar përparim lidhur me një marrëveshje armëpushimi në rajon, për normalizimin mundshëm të marrëdhënieve mes Izraelit dhe Arabisë Saudite, si dhe për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. Por zoti Blinken përballet me sfida të mëdha në të treja këto fronte.
Hamasi dhe Izraeli kanë mosmarrëveshje të hapura rreth elementëve kyç të një armëpushimi të mundshëm. Izraeli ka hedhur poshtë thirrjet e Shteteve të Bashkuara për një plan drejt një shteti palestinez dhe aleatët militantë të Iranit në rajon, kanë dhënë pak shenja zmbrapsjeje për shkak të sulmeve ajrore amerikane.
Egjipti, së bashku me Katarin, ku zoti Blinken do të ndalet më vonë të martën, janë përpjekur të ndërmjetësojnë një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit e cila potencialisht do të çonte në lirimin e më shumë pengjeve në këmbim të një pauze disajavore në operacionet ushtarake izraelite. Mbi ideimin e marrëveshjes kanë punuar shefat e inteligjencës nga Shtetet e Bashkuara, Egjiptit, Katarit dhe Izraelit. Ajo i është paraqitur Hamasit, në fund të muajit të kaluar, por ky i fundit nuk është përgjigjur ende zyrtarisht.
Zyrtarët amerikanë thanë se zoti Blinken shpreson të marrë informacion mbi përgjigjen e Hamasit ndaj propozimit, si në Kajro ashtu edhe në Doha. Zoti Blinken do të udhëtojë më pas për në Izrael për të informuar Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe kabinetin e tij të luftës të mërkurën, lidhur me bisedimet e zhvilluara me udhëheqësit arabë.
Ashtu si në katër udhëtimet e tij të mëparshme në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës në Gaza, qëllimi tjetër kryesor i sekretarit Blinken është të parandalojë përhapjen e konfliktit, një detyrë e bërë gjithnjë e më e vështirë nga sulmet e shtuara nga milicitë e mbështetura nga Irani në rajon dhe nga kundërpërgjigja gjithnjë e më e fortë e ushtrisë amerikane në Irak, Siri, Jemen dhe Detin e Kuq, ku janë intensifikuar sulmet që nga java e kaluar.
Të hënën zoti Blinken u takua me princin e kurorës Mohammed bin Salman, në kryeqytetin saudit, Riad. Zyrtarët sauditë kanë thënë se mbretëria vazhdon të jetë e interesuar për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, por vetëm nëse ekziston një plan i besueshëm për të krijuar një shtet palestinez.
Zoti Blinken “theksoi rëndësinë e trajtimit të nevojave humanitare në Gazë dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të konfliktit”. Ai dhe princi i kurorës diskutuan mbi “rëndësinë e ndërtimit të një rajoni më të integruar dhe më të begatë”, thuhej në një deklaratë të Departamentit amerikan të Shtetit.
(Zëri i Amerikës)