Uashington, 31 maj 2023 – Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, u bëri thirrje të gjitha palëve në Kosovë, të punojnë për të ulur tensionet në veri të vendit.
Në një deklaratë të Sekretarit Blinken, të publikuar në ueb-faqen e Departamentit amerikan të Shtetit, thuhet se “Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe të tërheqin forcat policore nga afërsia”, ndërsa “Presidenti Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet të ulin nivelin e gatishmërisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë sfidat ndaj KFOR-it dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme”.
Blinken ka thënë se Kosova dhe Serbia “duhet menjëherë të angazhohen në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të lehtësuar nga BE-ja”.
“U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet. Shtetet e Bashkuara e dënojnë dhunën e djeshme të papranueshme kundër trupave të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, forcave të rendit dhe gazetarëve.
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për hyrjen me forcë në ndërtesat komunale i përshkallëzoi tensionet në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme. Kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative, jashtë ndërtesave komunale, dhe të tërheqin forcat policore nga afërsia. Presidenti Vuçiq dhe Qeveria e Serbisë duhet të ulin nivelin e gatishmërisë së Forcave të Armatosura Serbe dhe t’u bëjnë thirrje serbëve të Kosovës që të ndalojnë të sfidojnë KFOR-in dhe të përmbahen nga dhuna e mëtejshme.
Si Kosova ashtu edhe Serbia duhet menjëherë të angazhohen në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, të lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në deklaratën e Sekretarit amerikan të Shtetit, Antny Blinken.
Edhe nga profili i tij në Twitter, z. Blinken u ka bërë thirrje të dyja palëve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për uljen e tensioneve midis tyre.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm sulmet e djeshme kundër forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe u kërkojnë të dyja palëve që të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet dhe që t’u rikthehen bisedimeve për normalizim, të udhëhequra nga BE”, shkruan Blinken.
The United States strongly condemns yesterday’s attacks against @NATO led Kosovo Force (KFOR) peacekeepers, and urges both sides to take immediate actions to de-escalate tensions and to recommit to EU-led normalization talks.
— Secretary Antony Blinken (@SecBlinken) May 30, 2023
Kjo është hera e dytë brenda tri ditësh që Sekretari amerikan i Shtetit u bën thirrje autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë që të ndërmarrin veprime për uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.
(r.m.)