Blinken në Egjipt për bisedimet mbi armëpushimin në Rripin e Gazës

Kairo, 18 shtator 2024 – Është bërë përparim në një propozim për marrëveshje armëpushimi në Rripin e Gazës gjatë muajit të fundit, por tani Izraeli dhe Hamasi duhet të tregojnë “vullnet politik” për të arritur një marrëveshje mes tyre, tha të mërkurën Sekretari i Shtetit Antony Blinken.

“Në marrëveshje janë 18 paragrafë, për 15 prej tyre është rënë dakord. Por çështjet e mbetura duhet të zgjidhen”, tha zoti Blinken gjatë një konference të përbashkët shtypi në Kajro me ministrin e Jashtëm egjiptian Badr Abdelatty.

Zoti Abdelatty u tha gazetarëve përmes një përkthyesi se Hamasi ka konfirmuar angazhimin e tij të plotë ndaj marrëveshjes së armëpushimit të arritur më 27 maj dhe ndaj ndryshimeve të bëra më 2 korrik.

Të mërkurën, Sekretari i Shtetit Blinken dhe Ministri i Jashtëm Abdelatty zhvilluan bisedime në të cilat diskutuan nevojën urgjente për armëpushim në Rripin e Gazës dhe në Sudan.

Në Kajro, Sekretari Blinken zhvilloi bisedime edhe me presidentin egjiptian Abdel Fattah el-Sissi.

Bisedimet disamujore të zyrtarëve amerikanë me Egjiptin dhe Katarin, që po ndërmjetësojnë negociatat mes Izraelit dhe Hamasit, nuk kanë sjellë një marrëveshje për t’u dhënë fund luftimeve. Negociatat janë përqendruar në një propozim, që përfshin ndërprerjen e luftimeve dhe lirimin e pengjeve, që ende po mbahen nga militantët e Hamasit në Rripin e Gazës.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë dhënë një afat kohor për propozimin e rishikuar, megjithëse zyrtarët amerikanë janë shprehur se ai do të paraqitet së shpejti.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, u tha gazetarëve të hënën se “Ne vazhdojmë të angazhohemi me partnerët tanë në rajon, veçanërisht me Egjiptin dhe Katarin, lidhur me propozimin dhe përpjekjet për ta përmirësuar atë në mënyrë që të marrë mbështetjen e palëve dhe të çojë në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.”

Përpjekjet për arritjen e një armëpushimi mund të ndikohen nga shpërthimet vdekjeprurëse të pajisjeve komunikuese “pager” të anëtarëve të grupit militant Hezbollah në Liban.

Shpërthimet ndodhën disa orë pasi Izraeli njoftoi zgjerimin e qëllimit të luftës së tij kundër Hamasit, duke përfshirë edhe operacionet për kthimin e banorëve të Izraelit verior në shtëpitë nga të cilat ata u evakuuan për shkak të përleshjeve mes trupave izraelite dhe militantëve të Hezbollahut përgjatë kufirit të Izraelit me Libanin.

Hezbollahu, një aleat i Hamasit, filloi sulme pothuajse të përditshme ndaj Izraelit menjëherë pas fillimit të luftës në Rripin e Gazës, duke detyruar dhjetëra mijëra njerëz të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Grupi i Hezbollahut, i cili ashtu si Hamasi mbështetet nga Irani, ka thënë se do t’i ndalë sulmet vetëm pas arritjes së një marrëveshjeje armëpushimi për Gazën. Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Bashkimi Evropian dhe vende të tjera perëndimore.

(Zëri i Amerikës)