Tel Aviv, 12 tetor 2023 – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë vizitës në Izrael tha se Uashingtoni “gjithmonë” do të mbështesë këtë shtet.
“Ju mund të jeni mjaftueshëm të fuqishëm që të mbroni veten”, tha Blinken gjatë takimit me kryeministrin e Izraelit, Benjanim Netanyahu.
“Për aq kohë sa të ekzistojë Amerika, nuk do të keni nevojë të jeni vetëm. Ne gjithmonë do të jemi përkrah jush”, theksoi ai.
Blinken premtoi se administrata e Presidentit Biden dhe Kongresi amerikan do të punojnë së bashku për të plotësuar kërkesat ushtarake për Izraelin.
“Përderisa kërkesat e mbrojtjes së Izraelit rriten, ne do të punojmë me Kongresin që ato të plotësohen”, tha ai.
Por, kryediplomati amerikan i cilësoi “legjitime” edhe aspiratat e palestinezëve. Por, ai theksoi se palestinezët nuk përfaqësohen nga grupi militant i Hamasit.
“Kushdo që dëshiron paqe dhe drejtësi duhet ta dënojë sundimin e terrorit të Hamasit. Ne e dimë që Hamasi nuk përfaqëson popullin palestinez apo aspiratat e tyre legjitime për të jetuar me masa të barabarta të sigurisë, lirisë, mundësisë së drejtësisë dhe dinjitetit”, tha ai, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Blinken bëri thirrje që të merren të gjitha masat për të shmangur goditjen e civilëve.
Ai njoftoi se të paktën 25 amerikanë janë në mesin e viktimave të sulmeve të Hamasit dhe bëri të ditur se Uashingtoni po punon për të siguruar lirimin e personave të marrë peng nga Hamasi.
Ndërkaq, kryeministri Netanyahu falënderoi SHBA-në për mbështetjen dhe theksoi se militantët e Hamasit duhet të trajtohen si militantët e Shtetit Islamik (IS).
“Sikurse u shtyp IS-i do të shtypet edhe Hamasi. Hamasi duhet të trajtohet njësoj sikurse është trajtuar IS-i”, theksoi Netanyahu.
Vizita e Blinkenit në Izrael është shprehje e solidaritetit të SHBA-së me Izraelin, pas sulmeve të militantëve të Hamasit.
Më 7 tetor, grupi militant Hamas nisi sulmin më të madh ndaj Izraelit nga toka, nga ajri dhe nga deti. Izraeli u kundërpërgjigj me bombardime të ashpra në Gaza, ku jetojnë 2.2 milionë banorë.
Sipas raportimeve jo të plota, më se 1.200 persona u vranë në Izrael nga militantët e Hamasit, ndërsa në kundërpërgjigjen e forcave izraelite në Gaza u vranë mbi 1.300 persona.
(r.m.)