Tiranë, 15 shkurt 2024 – Marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë janë më të fuqishme se “kurrë më parë”, ka thënë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të enjten, gjatë vizitës së tij të parë zyrtare në Tiranë.
Në konferencë e përbashkët për media me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, Blinken e falënderoi Shqipërinë për rolin e saj në NATO, për mbështetjen e Ukrainës dhe për dënimin e agresionit rus.
“Siç e dini, Shqipëria ka qenë nga dita e parë mbështetëse e fuqishme e Ukrainës. Ishte ndër vendet e para që i dërgoi municion Ukrainës, armë, municion dhe automjete rezistente ndaj minave. Tani është në top 10 vendet për kokë banori që e mbështet Ukrainën”, tha ai
“Gjatë 15 vjetëve të saj në NATO Shqipëria ka dhënë kontribute domethënëse për aleancën tonë. Trupat shqiptare ndihmojnë për të ruajtur paqen në Kosovë, për të frenuar agresionin e Rusisë në krahun lindor të NATO. Muajin e ardhshëm do të përurojë bazën ajrore të NATO-s në Kuçovë. Ne jemi falënderues që Shqipëria po bën pjesën e saj dhe është e angazhuar për të mbajtur detyrimet e saj”, tha Blinken.
Ai tha se SHBA-ja do të vazhdojë ta mbështetë Shqipërinë në arritjen e reformave në sistemin e drejtësisë, të cilat janë të rëndësishme për rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian.
“Reformat në drejtësi nuk kanë qenë të lehta, por po tregojnë rezultate të vërteta. Sot u takova me gjykatës dhe prokurorë të lartë që po ndihmojnë në përpjekjet për reforma. Zyrtarët e korruptuar po mbahen përgjegjës. Anëtarët e krimit të organizuar po shkojnë në burg dhe po i humbin asetet e tyre. Ky është proces i fuqishëm”, tha Blinken.
Kryediplomati amerikan e falënderoi Shqipërinë për strehimin e afër 2.500 afganëve që ikën nga Afganistani pas rikthimit në pushtet të talibanëve, në gusht të vitit 2020.
“Udhëtimi i tyre nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e Shqipërisë. Nuk është vetëm fakti që po i prisni ata, por edhe mënyra se si po e bëni këtë”, tha Blinken.
Blinken tha se gjatë mandatit të tij në krye të diplomacisë amerikane ka gjetur një partner të besueshëm te kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Kryediplomati amerikan i vlerësoi lart lidhjet mes popullit amerikan dhe atij shqiptar.
Gjatë vizitës në Shqipëri, Blinken u takua me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, me kryeministrin Edi Rama. Ai mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së shkëmbimit të studentëve dhe marrëveshjes së bashkëpunimit kundër manipulimit informativ nga një shtet i huaj.
(Sipas REL)