Mynih, 18 shkurt 2023 – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, njoftoi se të shtunën, tnë margjina të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ka zhvilluar një takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Blinken, në një postim në Twitter, e cilësoi “konstruktive” bisedën me Vuçiqin.
“Sot në Konferencën e Sigurisë në Mynih pata një bisedë produktive me presidentin serb Aleksandar Vuçiq. Ne biseduam për rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve [të Serbisë] me Kosovën dhe për atë se sa e vlerësojmë mbështetjen e vazhdueshme të Serbisë për Ukrainën. Ne e ndajmë dëshirën e Serbisë për një të ardhme me Bashkimin Evropian”, shkroi Blinken.
Had a productive conversation with Serbian President @AVucic today at the @MunSecConf. We discussed the importance of normalized relations with Kosovo and I conveyed our appreciation for Serbia’s continued support for Ukraine. We share Serbia’s desire for a future with the EU. pic.twitter.com/9isoAics6N
— Secretary Antony Blinken (@SecBlinken) February 17, 2023
Ndërkaq Vuçiq shkroi në profilin e tij në Instagram se në takim me sekretarin Blinken, përveç se u bisedua për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë e Kosovës, u konfirmua edhe përmirësimi e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ushtrojnë presion ndaj Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre. Perëndimi druan se Rusia mund t’i shfrytëzojë tensionet mes Kosovës e Serbisë për të destabilizuar Ballkanin, në mënyrë që të zhvendosë vëmendjen nga agresioni i saj në Ukrainë.
Prishtina dhe Beogradi e kanë në tryezë një propozim të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve. Propozimi është mbështetur nga SHBA-ja.
(r.m.)