Uashington, 30 nëntor 2021 – Sekretari i Shtetit, Antony Blinken paralajmëroi sot Rusinë të mos ndërmarrë ndonjë “hap përshkallëzues” ndaj Ukrainës, duke theksuar se “një agresion i ri do të shoqërohej me pasoja serioze”.
Duke folur me gazetarët përkah Ministrit të Jashtëm të Letonisë, Edgars Rinkevics gjatë një vizite në Rigë, Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara janë “shumë të shqetësuara” nga dërgimi i trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën.
Shqetësimet rreth shtimit të trupave ruse do të diskutohen në takimin dy ditor të ministrave të jashtëm të NATO-s, që zhvillohet të martën dhe të mërkurën në Rigë.
Para takimit të NATO-s, Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg i bëri thirrje Rusisë të ulë tensionet në rajon, duke shtuar se shtimi i pranisë ushtarake është “i paprovokuar dhe i pashpjegueshëm”.
“Një sulm i mundshëm i Rusisë kundër Ukrainës, do të kishte një çmim të lartë dhe pasoja politike dhe ekonomike serioze për Rusinë”, tha dje zoti Stoltenberg.
Takimi i NATO-s në Rigë vjen në një kohë që vendet anëtare të NATO-s, Letonia, Lituania dhe Polonia ndeshen me një krizë në kufijtë e tyre me Bjellorusinë.
Bashkimi Evropian e akuzon presidentin e Bjellorusisë, Alexander Lukashenko për tërheqjen e mijëra imigrantëve nga Lindja e Mesme në vendin e tij, që prej andej të kalojnë në Letoni, Lituani dhe Poloni me synimin për të destabilizuar Bashkimin Evropian. Brukseli thotë se Presidenti Lukashenko po hakmerret për sanksionet që BE-ja ka vënë ndaj Bjellorusisë.
Një tjetër synim i takimit të NATO-s do të jetë përditësimi i asaj, që grupi e quan, Koncepti Strategjik, i ndryshuar për herë të fundit para një dekade.
Zoti Stoltenberg tha se është e rëndësishme të rishikohet dokumenti për shkak të ndryshimit të kërcënimeve me të cilat ndeshet aleanca, në një botë, që ai e quajti “më të rrezikshme”.
“Sjellja e Rusisë, sulmet kibernetike, kërcënimet terroriste, përhapja e armëve bërthamore dhe pasojat për sigurinë nga Kina, e cila po bëhet gjithnjë e më shumë një fuqi globale”, janë disa prej tyre, tha zoti Stoltenberg.
(Zëri i Amerikës)