Bruksel, 14 qershor 2021 – Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, e ka publikuar një foto të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, të realizuar gjatë takimit dhe konferencës së përbashkët, ku u firmos marrëveshja për rrjetin 5G.
Ambasadorja Kim shkruan se partneriteti mes SHBA-së dhe Shqipërisë po forcohet dhe thellohet.
“Në takimin e tyre, Sekretari i Shtetit Blinken & Edi Rama riafirmuan bashkëpunimin në gjithë bordin, përfshirë mbrojtjen dhe ruajtjen e infrastrukturës së telekomunikacionit. Ne gjithashtu shpresojmë tek Shqipëria në Këshillin e Sigurimit të Kombet e Bashkuara. Siç tha Blinken, partneriteti ynë po forcohet dhe thellohet.” shkruan Yuri Kim.
Kryeministri Edi Rama dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e kanë nënshkruar dje marrëveshjen për koordinimin e teknologjisë 5G mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Marrëveshja u nënshkrua gjatë takimit të tyre në Bruksel.
Sekretari Amerikan i Shtetit ka thënë se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje për teknologjinë 5G është një shembull i fortë për sigurimin e rrjeteve teknologjike dhe një mesazh për vendet e tjera.
Blinken e ka vlerësuar të suksesshme edhe stërvitjen e përbashkët “Defender 21” dhe është shprehur mirënjohës që SHBA ka një partner dhe aleat si Shqipëria.
Sekretari Amerikan i Shtetit ka thënë se shumë punë dhe bashkëpunime të tjera i presin bashkë, sapo Shqipëria të ulet në Këshillin e Sigurisë të OKB-së.
“Faleminderit shumë që jeni këtu. Faleminderit për punën që kemi bërë së bashku. Mendoj që po vendosni një shembull të fortë për të tjerët sot, për nevojën për të siguruar se kur bëhet fjalë për rrjetet më të ndjeshme të teknologjisë që kemi ne, të punojmë me shitës të besuar. Kjo është shumë e rëndësishme dhe një mesazh për t’i dërguar të tjerëve. Ajo që është më e rëndësishme, jemi mirënjohës për punën që SHBA-ja dhe Shqipëria kanë bërë së bashku në shumë fusha të ndryshme përfshi edhe stërvitjen ‘Defender21’ që është përmbushur me kaq shumë sukses. Presim me padurim që të merrni vendin tuaj në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Kemi shumë punë për të bërë edhe atje dhe në të gjitha aspektet ky partneritet po bëhet më i fortë dhe më i thellë dhe ne e vlerësojmë shumë lidershipin tuaj për ta bërë këtë. Ju po vendosni një shembull mjaft të mirë. Jemi mirënjohës që ju kemi partner dhe aleat”, është shprehur Blinken.
Ndërkaq,Kryeministri Edi Rama ka thënë se krijimi i një korridori komunikimi mes dy vendeve është shumë i rëndësishëm. Ai u ka bërë thirrje vendeve tjera të Europës që t’i bashkohen kësaj nisme, duke theksuar se këto shërbime duhet të mbrohen nga “palët e treta dashakeqëse”.
Rama ka theksuar se ai është krenar për miqësinë e Shqipërisë me SHBA-të.
“Për mua dhe për ne në Shqipëri është një moment shumë i rëndësishëm, sepse, siç besoj se ju e dini, ne kemi marrë nismë prej disa vitesh dhe u kemi kërkuar dhe vendeve të tjera në rajon që të gjithë së bashku të bëjmë përpjekje për një korridor të përbashkët komunikimi dhe për ta vënë këtë korridor të shërbimeve shumë kritike në duart e qytetarëve të Shqipërisë dhe të institucioneve të sigurisë dhe të mos komprometohet nga palët e treta që ndonjëherë janë aktorë dashakeq. Ndaj është përherë krenari për Shqipërinë që të jetë krah jush, që të jetë krah SHBA-së dhe do jetë përherë. Shpresoj që së bashku t’i bindim dhe palët tjera në rajon për të na u bashkuar në këtë nismë”, ka thënë Rama.
(r.m.)