Blinken përgëzon Kurtin dhe Vuçiqin: Marrëveshja do të përshpejtojë rrugëtimin drejt BE-së

Uashington, 19 mars 2023 – Sekretari amerikan i shtetit, Anthony Blinken, e ka përshëndetur dakordimin e arritur të shtunën në Ohër për aneksin e zbatimit të marrëveshjes për normalizmin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë, raporton The Pavlovic Today.

Ai i ka përgëzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq.

“Ne përgëzojmë Presidentin e Serbisë dhe Kryeministrin e Kosovës për lidershipin e tyre në arritjen e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Blinken.

“Përmbushja e detyrimeve të Kosovës dhe Serbisë sipas Marrëveshjes Themelore, si pjesë e përkushtimit të qëndrueshëm për pajtim, do të sigurojë mundësi të rëndësishme për njerëzit e të dy vendeve dhe do të përshpejtojë rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, ka shtuar ai.

Blinken ka thënë se Shtetet e Bashkuara, bashkë me partnerët evropianë, do të mbështesin Serbinë dhe Kosovën në procesin e normalizimit të marrëdhënieve “të qëndrueshme dhe paqësore”.

Ai ka thën se SHBA do të vazhdojë të mbështesë edhe avancimin e stabilitetit dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor.

Sekretari Blinken e ka falënderuar Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për organizimin e takimit në Ohër  dhe për mbështetjen e përpjekjeve për arritjen e marrëveshjes midis Kosovës e Serbisë.

“Falënderojmë BE-në për lehtësimin e bisedimeve dhe Qeverinë e Maqedonisë së Veriut për pritjen e palëve dhe mbështetjen për finalizimin e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Blinken.

(r.m.)