Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka premtuar mbështetjen e Amerikës për Moldavinë, ish-republikën e vogël sovjetike me prirje perëndimore, e cila po përballet me një fluks refugjatësh nga Ukraina dhe po shikon me kujdes luftën e Rusisë me fqinjin e saj.
Blinken u takua të dielën (më 6 mars) me zyrtarë të lartë moldavë, të cilët po bëjnë thirrje për ndihmë ndërkombëtare në trajtimin e më shumë se 120,000 refugjatëve nga Ukraina që pritet të mbërrijnë në këtë vend.
Po ashtu, Moldavia ka kërkuar siguri kundër agresionit të mundshëm rus.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë më 24 shkurt, më shumë se 230,000 njerëz kanë ikur në Moldavi nga Ukraina.
Blinken tha se pritja e refugjatëve nga Moldavia është një frymëzim për botën.
“Ne e admirojmë bujarinë e mikpritjes, gatishmërinë për të qenë miq kaq të mirë për njerëzit që janë në ankth dhe, në të vërtetë, dua të bëjmë gjithçka që mundemi për t’iu ndihmuar të përballeni me barrën iu është imponuar,” tha ai.
Rusia tashmë ka trupa në vendin prej 2.6 milionë banorësh, të vendosura në territorin e diskutueshëm të Transnistrisë dhe po vëzhgohen nga afër, derisa presidenti rus, Vladimir Putin po ecën përpara me pushtimin e Ukrainës.
Megjithëse nuk ka plane konkrete ose përpjekje që të bëhet anëtare e NATO-s, Moldavia aplikoi zyrtarisht për t’iu bashkuar Bashkimiy Evropian vetëm tre ditë më parë, në një përpjekje të shpejtë për të forcuar lidhjet e saj me Perëndimin.
(REL)