Uashington, 29 shtator 2023 – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të premten se incidentet si ai të dielës në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, paraqesin sfida të papranueshme për forcat paqeruajtëse të KFOR-it dhe komunitetin ndërkombëtar. Ai mirëpriti praninë e shtuar të KFOR-it dhe vendimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut për të miratuar forca shtesë për Kosovën.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, tha se sekretari Blinken i bëri këto komente gjatë një bisede me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç më të cilin diskutoi “rëndësinë e marrjes së masave të menjëhershme për të ulur tensionet me Kosovën pas dhunës së 24 shtatorit dhe vrasjes së një rreshteri të policisë së Kosovës”
Spoke to President Vucic @predsednikrs to underscore the immediate need to de-escalate tensions with Kosovo and hold to account those responsible for the recent violent attacks. Also stressed the importance of fully implementing commitments under the EU-facilitated Dialogue.
— Secretary Antony Blinken (@SecBlinken) September 29, 2023
Zëdhënësi tha se sekretari nënvizoi se ata që janë përgjegjës për sulmet e që tani ndodhen në Serbi duhet të mbajnë përgjegjësi. Ai përsëriti se Serbia duhet të shoqërojë uljen e menjëhershme të tensioneve me zbatimin e plotë të angazhimeve të saj sipas marrëveshjes së normalizimit (të marrëdhënieve me Kosovën) në kuadër të bisedimeve të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.
Sulmi i së dielës në Banjskë të Zveçanit, në pjesën veriore të Kosovës, u cilësua si sulm terrorist nga institucionet e Kosovës, nga Bashkimi Evropian dhe nga diplomatët perëndimorë.
Sulmi shkaktoi shqetësime të reja për qëndrueshmërinë në rajon, prandaj NATO-ja miratoi të qremten shtimin e forcave të saj në Kosovë.
(r.m.)